Vodhën lekë dhe euro në banesën e një shtetasi, policia gjen automatikun e autorëve

27/10/2021 10:44

Policia e Sarandës ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit që dyshohet të jetë përdorur nga autorët në vjedhjen e ndodhur një javë më parë në banesën e shtetasit T.K.

Dy persona ende të paidentifikuar hynë në shtëpinë e shtetasit T.K. dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në lekë dhe euro.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit T. K. dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, si dhe një sasi municioni luftarak”, njofton policia.

Arma e zjarrit është dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, me qëllim identifikimin me prova shkencore të dy autorëve të ngjarjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel