Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e Unionit të Noterëve Shqiptarë

27/10/2021 16:49

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Unionit të Noterëve Shqiptarë për shfuqizimin e ligjit për noterinë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë disa pika të ligjit “Për noterinë” pasi i cilëson si të papajtueshme me Kushtetutën. Bëhet fjalë për “pikën 2 të nenit 8; pikën 6 të nenit 10; pikën 4 të nenit 15; shkronjave “d” dhe “dh” pika 2 të nenit 26; pikës 5 të nenit 26; shkronjave “ç” dhe “d” të nenit 27; pikës 2 e nenit 31; neneve 41-53; shkronjës “ll”, pika 1 e nenit 63; pikës 2 të nenit 75 shprehja “paga e zëvendësnoterit nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale mujore në shkallë vendi, sipas legjislacionit në fuqi”; shkronjave “dh” dhe “gj” të nenit 81; nenit 95; nenit 96; shkronjës “a”, pika 1 e nenit 105 shprehja “identifikuesin elektronik të aktit”; nenit 106, shprehja “Çdo akt dhe veprim noterial merr nga sistemi elektronik një numër unik elektronik”, nenit 127”.

Gjithashtu Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1045, datë 15.01.2020 “Për mënyrën e ndërlidhjes, nivelin e aksesit dhe të bashkëveprimit të sistemit elektronik të dhomës kombëtare të noterisë me bazat e tjera të të dhënave”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në njoftim thuhet se është pezulluar zbatimi i shkronjave “d” dhe “dh” të pikës 2, të nenit 26, si dhe nenet 41-53, 95, 96 dhe 106, të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë” dhe i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1045, datë 15.01.2020, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e fjalisë së fundit të pikës 1 të nenit 26 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”.
– Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Top Channel