Projektbuxheti për 2022/ ‘Synon konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë’

26/10/2021 12:46

Në projektbuxhetin e vitit 2022, financat presin që të mbledhin 537 miliardë lekë të ardhura (4.4 miliardë euro), me një rritje prej 10.6% në krahasim me buxhetin e pritshëm të vitit 2021.

Burimi i rritjes së të ardhurave shihet tek rimëkëmbja ekonomike, rritja e volumit të importeve dhe lufta ndaj informalitetit. Qeveria shqiptare pret që rritja ekonomike vitin e ardhshëm të jetë 4.1%.

Përgjatë vitit të ardhshëm, qeveria synon të arrijë një nivel të ardhurash prej 536.8 miliardë lekë apo rreth 4.4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore arrijnë shifrën e 637 miliardë lekëve. Rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2022 planifikohet të jetë në nivelin e 4.1%, ndërsa synohet ulje e borxhit publik vitin e ardhshëm në 78.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pas rritjes këtë vit në 80%.

Arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura do të jenë edhe sektorët që do të mbështesë buxheti 2022, teksa vëmendje të veçantë do të ketë procesi i rindërtimit me një mbështetje prej 20 miliardë lekë.

“Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4%, ekonomia pritet të rikuperohet ndjeshëm në vitin 2021. Vlerësimet më të fundit për rritjen ekonomike gjatë vitit 2021 kapin vlerën e 7.6 për qind, duke vijuar këtë trend pozitiv dhe në periudhën afatmesme 2022-2024 me një mesatare prej 4% në vit. Më specifikisht, rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1% e shoqëruar me një ulje të normës së papunësisë nga 11.4% në 2021 në nivelin 10.3% të parashikuar për vitin 2022. Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështeten edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 6.4% e PBB-së. Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 5.4% të PBB-së.

Pavarësisht nivelit relativisht të lartë që vjen si pasojë e efekteve negative të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, deficiti buxhetor vijon të mbështesë ekskluzivisht financimin e investimeve publike. Në fund të vitit 2024, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.8% të PBB-së duke përmbushur kësisoj objektivin madhor të qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik. Në projektbuxhetin e vitit 2022, programimi i të ardhurave buxhetore mbështet synimet e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky programim bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike, si dhe duke nxitur prodhimin dhe eksportet.

Të ardhurat buxhetore në raport me PBB-në pësojnë një rritje në terma realë në periudhën 2022-2024 nga 28.7% e PBB-së në vitin 2022 në 29.1% e PBB-së në vitin 2024. Kjo rritje vjen dhe si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes të të Ardhurave (MTRS) e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimit. Implementimi me sukses i parashikimeve të strategjisë afatmesme të të ardhurave parashikohet të ketë impakt pozitiv në rritjen e të ardhurat tatimore. Shpenzimet buxhetore për periudhën 2022-2024 do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rindërtimit si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike. Shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe kujdesit ndaj brezave, duke filluar me programet specifike për mirërritjen dhe shkollimin e fëmijëve, aftësimin dhe punësimin e të rinjve, si dhe një mbështetje më të madhe financiare për shtresat në nevojë dhe moshën e tretë. Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri më tani pritet të kenë impaktin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë refoma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor.

Qeveria shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike dhe njëkohësisht pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.2% të PBB-së në vitin 2022”, thuhet në dokument.

Top Channel