U mbajt në burg padrejtësisht! I riu u akuzua për përdhunim, pas 2 muajsh denoncuesja rezultoi e virgjër

24/10/2021 19:47

Një 30-vjeçar nga Dibra është mbajtur mbi 2 muaj burg për akuzën e përdhunimit, bazuar në kallëzimin e një vajze që pas ekspertizave mjeko-ligjore rezultoi se ishte ende e virgjër.

Hetimi i policisë dhe prokurorisë së Tiranës sipas burimeve të Top Channel, është kryer në sekret të plotë, pasi në dëshminë e vajzës përshkruheshin detaje tronditëse të një abuzimi që sipas saj kishte nisur prej një viti. Vajza ka rrëfyer me video konference se fillimisht kishte komunikuar në telefon me të riun me inicialet A.Sh. dhe se përpara përdhunimit, ai e ftoi në shtëpi, dhe me pas e drogoi me një shiringë.

Pas abuzimit, e reja tregoi pranë autoriteteve se ishte kërcënuar përmes një letre “po i tregove familjes do të të vras”. Pas këtij qëndrimi, i riu me banim në Kamëz rezulton të jetë arrestuar “për arsye të ngutshme” pasqyrohet në procesverbalet e policisë “si një mase që i dyshuari të mos arratisej”.
Por, megjithë këmbënguljen e 30-vjeçarit se as që kishte komunikim me denoncuesen , gjykata e Tiranës u bind jo nga fjalët e tij por nga provat që mbërritën me vonesë ç’ka solli lirimin e tij.

Ekzaminimet e Institutit Shkencor konfirmuan se e reja ishte e padefloruar dhe ndaj qëndrimi i saj u gjet i pabazuar.

Burimet bëjnë me dije se tanimë prokuroria ka hapur një dosje tjetër, atë të kallëzimit të rremë ndaj denoncueses që vuan nga epilepsia dhe për këtë shkak ajo nuk është arrestuar.

Top Channel