Akuzoi efektivët për dhunë/ Reagon policia e Lushnjës: 28-vjeçari goditi forcat blu, nuk pranoi të…

24/10/2021 22:54
Ilustruese

Policia hedh poshtë akuzat e një shtetasi në Lushnjë që akuzon efektivët se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Në një njoftim për mediet, policia e Lushnjës shkruan se 28-vjeçari që drejtonte mjetin me targa AA 935 CR u ndalua për kontroll në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës” në Lushnjë, rreth orës 04:40 të mëngjesit të së dielës.

Sipas policisë, ai ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe goditur forcat blu. Për pasojë, është shoqëruar me forcë  në komisariatin e Lushnjës.

Nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë janë administruar kallëzimet e punonjësve të Policisë, kallëzimi i shtetasit A. H., këqyrja dhe vendimi i ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasin A. H. Në përfundim të veprimeve procedurale, oficeri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka komunikuar me Sallën e Komandimit pranë Komisariatit të Policisë Lushnjë, për të komunikuar veprimet hetimore dhe hetimin e këtij personi në gjendje të lirë.

Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për të dërguar një grup pune në Komisariatin e Policisë Lushnjë, me qëllim verifikimin e rastit dhe nisjen e hetimit disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës“, shkruhet në njoftimin e policisë.

 

Top Channel