Ekzekutimi i 57-vjeçarit në Fier, reagon policia: “Shqiponjat” dhe dy grupe FNSH po kërkojnë autorin

23/10/2021 21:10

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Fierit. Një 57-vjeçar është qëlluar me armë zjarri kallashnikov pranë QTU në Fier.

Ai është dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Fierit, ku ka ndërruar jetë pasi nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra. Burime për Top Channel bëjnë me dije se është qëlluar brenda automjetit tip Audi, i cili qëndronte i parkuar në krah të rrugës.

Pak minuta pas të shtënave, një makinë e djegur është gjetur në afërsi të fshatit Daullas, pranë spitalit Memorial të Fierit. Mjeti dyshohet të jetë i autorit të ngjarjes që plagosi me armë zjarri një person brenda automjetit tip “Audi”. Mjeti dyshohet të jetë i autorit të vrasjes. Në vendin ku u gjet mjeti i djegur, mbërritën ekspertë të kriminalistikës të cilët po mbledhin provat e mbetura.

Policia ka bërë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH  kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.

Njoftimi i policisë

Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH  kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.

Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel