Komitetit Teknik i Ekspertëve pritet të mblidhet sot, ku parashikohet të merren vendime të reja për uljen e moshës së vaksinimit anti-COVID.

Vaksinimi i adoleshentëve pritet të bëhet deri në moshën 16vjeç, ndërsa për fëmijët me probleme shëndetësore +12  vjeç.

“Komiteti i Ekspertëve ka rekomanduar uljen e fashës së grupmoshës së vaksinimit për adoleshentet plus 16 vjeç. Në diskutim gjithashtu është edhe inokulimi i vaksinës tek fëmijët mbi 12 vjeç me probleme shëndetësore, si dhe marrja e dozës së tretë nga një kategori e veçantë. Të gjitha këto do të diskutohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët do të japin një përgjigje lidhur me këto rekomandime”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Ministrja Ogerta Manastiliu tha se të gjitha vaksinat të cilat po qarkullojnë në territorin e Shqipërisë janë të miratuara nga EMA, FDA apo OBSH.

“Të gjitha vaksinat që qarkullojnë në territorin e Shqipërisë, janë të aprovuara nga strukturat ndërkombëtare, siç janë EMA, FDA ose OBSH, e cila ka certifikuar koronavac. Të gjitha janë të kontrolluara të verifikuara, edhe për afatet e përdorimit të tyre, ndaj i garantoj qytetarëve që vaksinat janë të certifikuara.”, shtoi ajo.

Deri më tani në vendin tonë janë shënuar 180,029 raste pozitive, ndërsa janë shëruar 170,730 prej tyre.

Raste aktive me COVID në të gjithë territorin e Shqipërisë janë 6444 dhe 2,855 qytetarë kanë humbur jetën.

Top Channel