Prof. Kabo në Top Talk: Koha nuk pret. Mosveprimi i SPAK-ut po “vret” besueshmërinë te drejtësia e re

22/10/2021 16:41

Profesori Përparim Kabo i ftuar në emisionin “Top Talk”, në Top Channel ka folur për zhvillimet në aktualitetin politik dhe propozimet e Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve, Reformën territoriale dhe Reformën zgjedhore.

Po ashtu profesor Kabo komentoi edhe punën e SPAK. Sipas tij SPAK nuk është duke e bërë si duhet punën e vet dhe mosveprimi i tij po vret besueshmërinë te drejtësia e re.

Profesor Kabo: Nëse qeveria ndërton një strukturë paralele që vëzhgon në mënyrë administrative shkeljet që mund të shkojnë deri në vepra penale, në çdo rast institucioni ku ndodh kjo duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë. S’ka nevojë të krijojmë SPAK 1, 2, 3. SPAK është një. Ne sot kemi një shqetësim qytetar dhe shpresoj që ta kenë edhe njerëzit e politikës që SPAK-u nuk po lëviz ashtu siç duhet. SPAK nuk po e kryen detyrën plotësisht ashtu siç duhet, po merret në nivele të ulëta me informacione periferike.

Faktori ndërkombëtar SHBA dhe së fundmi edhe BE kërkon goditje të korrupsionit në nivele të larta që do të thotë kryeministra, ish-kryeministra, ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, president, ish-president. Kjo valle që duhet të hedhin të dyja palët është për të ngritur tymnajë, për të shpenzuar kohë dhe për të demotivuar institucionet që vetë i kanë miratuar. SPAK vepro nuk ka kohë më, ke në dorë jo nderin tënd profesional, por fatin e atdheut, të demokracisë, të zhvillimit, të gjeneratave të reja, integrimit të Shqipërisë në BE.

Koha po kalon nuk kemi çfarë presim më. Ne presim veprime konkrete, tashmë edhe BKH është funksionale, kështu që të tëra institucionet që këta projektuan me ndryshimet e 2018 janë sot të plotësuara. Tani duhet vullnet e kurajo. Këta nëse duan t’i shohin në sy fëmijët e tyre dhe të gjithë Shqipërisë duhet të veprojnë sot, koha nuk pret më. Njerëzve i është sosur durimi dhe kur soset durimi zë vend dyshimi, mosbesimi dhe indiferenca.

Top Channel