Kontrabandë me testet e Covid/ Arrestohen katër persona dhe dy doganierë në Portin e Durrësit

21/10/2021 15:23

Katër persona, mes të cilëve dy doganierë janë arrestuar nën akuzën e kontrabandës me medikamente dhe mallra të tjerë, si dhe shpërdorim detyre.

Një informacion i marrë në rrugë operative nga struktura e Krimit Ekonomik në policinë e Durrësit ka vënë në lëvizje shërbimet policore të cilat kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në një furgon që qarkullonte në zonën e plazhit të Durrësit dhe shpërndante e tregtonte medikamente pa asnjë dokumentacion.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të ndryshme mjekësore, kamera sigurie dhe teste të shpejta  Antigen.

Në flagrancë u arrestuan pronari i mjetit një shtetas nga Kosova me banim në Londër dhe drejtuesi i mjetit një 35 vjeçar nga Kukësi.

Pas veprimeve të para hetimore u arrestuan edhe dy doganierët, përkatësisht 58 dhe 52 vjeç me banim në Durrës.

Ata kanë qenë në turn dhe akuzohen për shpërdorim detyrë pasi nuk kanë kryer kontrollin e imtësishëm të mjetit gjatë kalimit të tij në doganë me  mallrat kontrabandë.

Top Channel