110 mln euro është shuma që shteti shqiptar i detyrohet investitorit Francesçho Becchetti pas vendimit të prerë të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në favor të sipërmarrësit italian.

Një faturë e parashikuar në buxhetin e shtetit që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për ta mohuar detyrimin me shpresën, se vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar do të anulohej.

Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve do të vendoste më 24 prill të 2019 që t’u jepte të drejtë pretendimeve të biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe familjarëve të tij në biznes, në padinë e ngritur prej tij kundër Shtetit Shqiptar.

Në krye të herës shuma që arbitrazhi ndërkombëtar detyron Shqipërinë që t’i paguhej Beçhetti-t nuk u bë publike prej ICSID-së, për arsye se rregullorja e kërkon që zbulimi i saj mund të bëhet publik vetëm me miratimin e të dyja palëve, sipas përcaktimit të bërë në pikën 5 të nenit 48 të Konventës së ICSID-së. Gjyqet e arbitrazhit janë konfidenciale, prandaj sipërmarrësit përveç të tjerash edhe për këtë arsye zgjedhin ti zgjidhin mosmarrëveshjet në këto forume.
Por, në fakt sekreti nuk do të zgjaste shumë dhe mandej do të mësohej se Becchetti kishte fituar afro 110 mln euro në Arbitrazh.

Sipërmarrësi Beçhetti do të vinte në Shqipëri që në fillim të viteve 90”, por do të niste të bëhej i njohur përmes investimit të munguar të hidrocentralit të Kalivaçit dhe investimit në media me Agon Channel.
Mandej, përplasja mes investitorit italian dhe Qeverisë shqiptare do të zinte fill pas vitit 2013 kur në pushtet erdhi qeveria Rama-Meta. Kjo qeveri do të anulonte si korruptivë dy koncesione që Francesco Beçhetti kishte fituar që nga koha e qeverisë së Kryeministrit Fatos Nano dhe që ishin rinegociuar gjatë qeverisjes së Kryeministrit Sali Berisha. Bëhej fjalë për koncesionin e ndërtimit të Hidrocentralit të Kalivaçit dhe koncesionin për ndërtimin dhe operimin e një fushe riciklimi mbetjesh.

Në 2015-ën përplasja mes qeverisë dhe sipërmarrësit Italian përfshiu edhe Prokurorinë. Organi i akuzës nisi fillimisht një hetim për rciklim, evazion fiskal, falsifikim dokumentacioni dhe pastrim parash në vlerën e 39 mln eurove. Më vonë, dy akuzat e fundit ranë dhe qëndroi vetëm akuza e evazionit.

Referuar kësaj akuze, në qershor të 2015-ës, Gjykata e Tiranës urdhëroi bllokimin e aseteve të Francesco Becchetti-t, përfshirë këtu kompanitë “Cable System”, “400KV”, “Fuqi” dhe “Energji”. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, me pronar investitorin italian.

Tre ditë pas këtij vendimi të Gjykatës së Tiranës, Shqipëria nxorri një urdhër-arrest ndërkombëtar për Francesco Beçhetti-n që akuzohej për shmangie taksash dhe mashtrime. Beçhetti akuzonte se sulmi ndaj tij kishte prapavijë politike për shkak të qëndrimit kritik të televizionit Agon Channel ndaj qeverisë në pushtet.
Në atë kohë, Kryeministri Edi Rama mohonte pretendimet e Beçhetti-t se sulmi ishte i nxitur politikisht dhe deklaronte se Agon Channel financohej nga para të pista. Në fund të qershorit të 2015, Francesco Beçhetti iu drejtua ICSID me një padi ndaj shtetit shqiptar.

Sipërmarrësi Italian do të arrestohej në nëntor të 2015 nga policia britanike në bazë të urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Shqipëria. Mandej, autoritetet shqiptare plotësuan dokumentacionin për ekstradimin e tij. Pas një beteje ligjore që zgjati disa muaj, gjykatat britanike rrëzuan në korrik të 2016 kërkesën e Qeverisë shqiptare, duke e cilësuar si të pabazuar në prova.

Teksa shteti shqiptar përpiqej fort për ta vënë Beçhetti-n para përgjegjësisë për akuzat e ngritura ndaj tij, investitori italian I shkonte deri në fund betejës financiare në Arbitrazhin e ICSID-së, i cili funksionon nën Bankën Botërore.

Në fillim të muajit prill 2021 avokatët e investitorit bënë të ditur në media se tashmë gjykata i kishte dhënë të drejtë biznesmenit italian, duke rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për anulimin e vendimit që detyronte shtetin shqiptar t’i paguajë 110 milionë euro.

Por, në 26 maj 2021 Shqipëria do të regjistronte kërkesën e saj për anulim në gjykatë, përmes Avokaturës së Shtetit dhe studios ligjore Wragge Lawrence Graham, Londër, Britani.

Por në thelb të vendimit asgjë nuk ndryshon. Sipas ekspertëve, shprehur se në thelb asgjë nuk ndryshon. Edhe vetë rregullat mbi të cilët funksionon kjo Gjykatë arbitrazhi, e bëjnë të qartë një gjë të tillë, se korrigjimi i një vendimi është një mjet rregullues për mosveprimet e paqëllimshme dhe gabimet e vogla teknike në një vendim. Ai i mundëson Gjykatës së arbitrazhit të korrigjojë gabimet që mund të jenë bërë gjatë hartimit të vendimit në mënyrë jo burokratike dhe nga nxitimi.

Top Channel