Kutive të votimit i është drejtuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, lideri i opozitës tha se zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe pjesëmarrja sa më e madhe është e rëndësishme.
Pasi shfrytëzoi të drejtën e tij kushtetuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, Krasniqi tha se është obligim si qytetar i Prishtinës për të zgjedhur kandidatin më të mirë për kryetar.
“Unë jam udhëheqës i opozitës, por këtu para gjithash jam qytetar i Prishtinës, jam banor që me familjen time jetoj në këtë qytet. Prandaj ky obligim qytetar, kjo votë bëhet si obligim i qytetarëve të Prishtinës që dëshiron më të mirën për komunë e tij. Shpresoj që edhe gjithë qytetarët tjerë, këtu në Prishtinë, por edhe anë e mbanë Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratik për të zgjedhur kandidatët më të mirë dhe atyre që iu besojnë më shumë. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët, jo për politikanët, pjesëmarrja e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush do të udhëheq në katër vjetët e ardhshme”, tha ai.
Ndryshe, sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e rregullta për kryetar dhe asamblistë të komunave./KosovaPress/
Top Channel