Parandalohet ngjarja kriminale, pas denoncimit të 45-vjeçarit/ Policia zbulon në makinën e denoncuar tre persona me shkopinj bejsbolli dhe…

15/10/2021 16:33

Policia e Shkodrës ka arrestuar një person dhe ka proceduar dy të tjerë, pasi u kapën duke lëvizur me një automjet në të cilin mbanin tre shkopinj bejsbolli dhe një bidon benzine.

Ndërhyrja e policisë erdhi pas denoncimit të një 45-vjeçari, i cili dyshonte se prej disa ditësh, po e ndiqnin disa persona të panjohur dhe që lëviznin me një automjet të tipit “Golf”.

Pas njoftimit të marrë, policia ka organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta e profesionale bëri të mundur lokalizimin dhe bllokimin e automjetit  të dyshuar,  në fshatin Mjedë, ku gjatë kontrollit ka rezultuar se në këtë automjet qarkullonin tre shtetas dhe në brendësi të automjetit Policia gjeti dhe sekuestroi tre shkopinj bejsbolli dhe një bidon me 5 litra benzinë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me ato të Lezhës, gjetën në banesën e njërit prej këtyre shtetasve konkretisht, të shtetasit Florjan Vasija, banues në Dajç Lezhë, dy armë zjarri gjysmë automatik dhe 821 copë fishekë luftarak.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Florjan Vasija i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetasit e tjerë  Z. V banues në Lezhë dhe E. D, banues në Tiranë,   të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër vijojnë intensivisht punën për zbardhjen edhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materjalet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

Top Channel