Kaos në kryeqytetin e Libanit/ Të paktën 5 të vdekur teksa ushtria hap zjarr ndaj protestuesve të armatosur (foto-video)

14/10/2021 17:38

Mjete të blinduara zbritën sot në Bejrut teksa pas ndërprerjes kombëtare të energjisë elektrike, kryeqyteti libanez është përfshirë nga kaosi.

Protestues të armatosur të mbështetur nga grupe militante si Hezbollah e Amal demonstronin kundër Tarek Bitar, gjyqtarit kryesor të çështjes së shpërthimit katastrofik në portin e qytetit një vit më parë.

Beirut ngjasonte sot me një zonë lufte teksa autoblindat zbritën në zonat e ndara të qytetit. Ushtria tha se do të qëllonte ndaj çdo personi të armatosur ndërsa raportimet vendase flasin për të paktën 5 të vrarë.

Ushtria kishte dislokuar tanke e autoblinda teksa të shtënat ishin përqendruar në një ndërtesë ku besohej se ishin strehuar militantët.

Kryeministri Najib Mikati bëri thirrje për qetësi ndërsa ushtria tha se zjarri i armëve kishte nisur kur demonstruesit kaluan në zonën ndarëse mes kristianëve dhe muslimanëve të qytetit.

Ministria e brendshme e vendit tha se pesë njerëz janë vrarë nga zjarri, mes të cilëve dhe të qëlluar me snajperë. Disa të tjerë janë plagosur.

Më herët kreu i grupit Hezbollah Sayyed Hassan Nasrallah bëri thirrje për zëvendësimin e gjykatësit të shpërthimit në portin e Bejrut, duke e akuzuar si të njëanshëm.

Në shpërthimin e 4 gushtit 2020 në portin e kryeqytetit u vranë të paktën 200 njerëz dhe u plagosën rreth 7,500, prej shpërthimit të rezervave të kimikateve të depozituara në port.

FOTO GALERI
2/7
Protestues të armatosur të mbështetur nga grupe militante si Hezbollah e Amal demonstronin kundër Tarek Bitar, gjyqtarit kryesor të çështjes së shpërthimit katastrofik në portin e qytetit

Top Channel