Në Shqipëri që prej udhëtimit të parë më 27 gusht kanë mbërritur 700 refugjatë lufte afganë. Kapaciteti mikpritës për të cilin është zotuar qeveria shqiptare është 4000. Por mbyllja e aeroportit të Kabulit ka bërë që ky kapacitet të mos realizohet.

Mes 700 refugjatëve të luftës ishin edhe dy jetime SAJED dhe FATIMA, përkatësisht 14 dhe 12 vjeç të cilat qëndruan vetëm 6 ditë në Shqipëri e më pas u nisën drejt SHBA-ve te tezja e tyre që ka nënshtetësi amerikane.

Të dy prindërit e vjazave u vranë 4 vite më parë. Muhamad është 16 vjeç. Në Kabul ndiqte klasën e 10-të.

“Situata ishte shumë e mirë. Para talibanëve mund të studionim dhe të bënim çdo gjë normalisht por tani situata është ndryshe. Shkollat janë ndaluar dhe askush nuk mund të shkojë për ca kohë apo ditë. Nuk dimë çfarë do të ndodh në të ardhmen, prandaj erdhëm këtu. Jam këtu me familjen time. Me nënën, babin, 3 motrat dhe vëllain. Kam edhe anëtarë të tjerë të familjes atje dhe dajat me familjet e tyre, gjyshen dhe gjyshin. Kjo është familja ime. Tani janë mirë, jo keq. Babi im punonte në qeveri ndërsa mami ishte amvisë në Afganistan. Kishim një jetë të mirë në Afganistan por kur erdhën talibanët babi humbi punën dhe ne erdhëm këtu. Nuk e dinim të ardhmen me talibanët kështu që erdhëm këtu. U ndjemë shumë të trishtuar kur erdhëm.” u shpreh Muhamad, qytetarë afgan.

Ajo që e shqetëson Muhamadin është rutina e varfër, ndryshe nga jeta që kishte në Kabul.
“ Nuk ka asgjë për të bërë. Vij këtu në mëngjes. Eci. Ndonjëherë notojmë e më pas shkojmë te dhoma dhe flemë. Ne donim të bënim kurse, si kurse anglishteje. Do donim të mësonim pasi kemi shumë kohë të lirë këto ditë. Kishim një takim me amerikanët dhe babai im më tha se i thanë se do të qëndroni këtu për një vit apo më shumë se një vit. Më pas do të na japin vizë për në Amerikë. Prandaj do qëndrojmë këtu deri në një vit. Kur erdhëm nga Afganistani nuk kishim rroba apo para por kur erdhëm në Shëngjin na dhanë 15.000 Lek dhe rroba prandaj kemi mjaftueshëm gjëra për të veshur.” u shpreh Muhamad.

Afganistani ka një popullsi prej 38,8 milion banorë dhe renditet i 37 në botë për nga nmri i popullsisë. Mbi 75% e popullatës afgane përbëhet nga të rinj, nën 40 vjeç. Dhe gati 50% e popullsisë përbëhet nga gra.

“Punoja për qeverinë, ministrinë e financës.Ishte një përditshmëri normale. Punoja me kohë të plot. Familja ime jetonte në Kabul. Sigurisht, kisha anëtarë të familjes që shkonin në shkollë dhe universitete dhe unë punoja dhe më pas, zakonisht, kisha mundësinë të dilja me miqtë e mij. Shkonim në kafene, në restorante. Kisha po ashtu një jetë të mirë sociale. Sigurisht frika ishte gjithmonë aty. Uljet e ngritjet, sulmet, bombat, vrasjet e qytetarëve të thjeshtë. Kishte 1-2 incidente çdo javë, çdo pak ditë, që do na thyenin zemrat dhe do na depresiononin por pavarësisht gjitha këtyre kishim filluar të shijonim një jetë normale” u shpreh Salma Alokozai.

“Po, sërish kam anëtar të familjes së zgjeruar aty, në Afganistan, kam miq në Afganistan. Po, kam familjar në Afganistan por familja ime është këtu me mua. Babai im qëndroi në Afganistan gjatë luftërave civile në vitet 90, kaloi shumë gjëra por qëndroi. Unë po ashtu përfundova Masterin tim në SHBA por pavarësisht ftesës së profesorëve për të qëndruar, i thash jo, do të rikthehem dhe do të punoj në Afganistan sepse aty jeta kishte kuptim për mua dhe ndihesha e kënaqur me çfarë bëja. U ktheva dhe për asnjë moment nuk mendoja se do të bëhem refugjate, për më pak refugjate në një situatë si kjo. Sigurisht, tani i jemi mirënjohës qeverisë shqiptare dhe Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Nuk na bëjnë të ndihemi si emigrantë” u shpreh Salma Alokozai.

Top Channel