Kryeministri Edi Rama ka hedhur firmën e emërimit të Gledis Nano si Drejtor i ri i Policisë së Shtetit.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu raporton se zoti Nano është propozuar nga Ministri Bledi Çuci dhe kjo kandidaturë është miratuar nga kryeministri Edi Rama.
Vendimi për këtë emërim është pjesë e vendimeve dhe diskutimeve të cilat po zhvillohen në mbledhjen e qeverisë drejtuar nga zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj.
Kandidatura e zotit Nano mëson Top Channel ka patur një mbështetje të fortë nga partnerët ndërkombëtarë.
Në muajin Gusht në emër të Qeverisë Amerikane, ambasadorja Yuri Kim i dorëzoi Gledis Nano, Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit një certifikatë vlerësimi.
Motivacioni lidhen me rolin dhe disa operacione të përbashkëta të suksesshme antiterrori me amerikanët drejtuar nga zoti Nano.
Në certifikatë shkruhet:
“Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”.
Gledis Nano,Faleminderit, Ambasador Yuri Kim.
Dhënia e kësaj certifikate është njoftuar vetë ambasada amerikane përmes një mesazhi në Facebook.
“Më 17 gusht, Ambasadorja Yuri Kim dorëzoi një Çmim Vlerësimi për Gledis Nano, Drejtor i Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit Shqiptar. Çmimi e vlerësoi Z. Nano për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të Ambasadës Amerikane me Policinë e Shtetit Shqiptar për të luftuar terrorizmin global. Ambasadorja Kim nënvizoi gjithashtu edhe bashkërendimin dhe bashkëpunimin e tij me të gjitha çështjet e Ambasadës për zbatimin e ligjit dhe ato kundër terrorizmit” thuhet në njoftim.
I pyetur nga Top Channel si e komentonte këtë vlerësim amerikan për punën e tij dhe Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano tha:
“Ky vlerësim më bën më shumë të motivuar për të rritur më tej shkallën e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese dhe të inteligjencës me partnerët tanë strategjik SHBA. Është një shenjë mirënjohje për rezultatet e punës së gjatë dhe të palodhur të të gjithë stafit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Krah partnerëve të SHBA ndjehemi më të sigurtë për t’iu përgjigjur sfidave dhe fenomeneve të kohës” deklaroi zoti Nano.
Gledis Nano bashkë me kolegun Indrit Doda u dekoruan nga ish ministri Sandër Lleshaj në Dhjetor 2020, me Medaljen e Trimërisë pas futjes në kampin Al Hol dhe Roj të Sirisë ku identifikuan dhe mësa riatdhesuan disa gra e fëmijë shqiptarë.
Në drejtimin e anti terrorit shqiptar Gledis Nano ka udhëhequr shumë operacione të përbashkëta dhe të suksesshme me partnerët ndër vite.
Oficeri i karrierës Gledis Nano hetoi dhe çoi përpara drejtësisë grupin e imamëve udhëhequr nga Bujar Hysa të cilët rekrutonin dhe dërgonin në Siri qytetarë shqiptarë.
Top Channel