Ish-punonjësja dhe sinjalizuesja e Facebook Frances Haugen do t’i kërkojë Kongresit amerikan të martën të rregullojë gjigantin e mediave sociale, të cilën ajo planifikon ta krahasojë me kompanitë e duhanit që për dekada mohuan se pirja e duhanit dëmton shëndetin, sipas dëshmisë së përgatitur të parë nga Reuters.
“Kur kuptuam se kompanitë e duhanit po fshihnin dëmet që shkaktonte, qeveria ndërmori veprime. Kur kuptuam se makinat ishin më të sigurta me rripa sigurimi, qeveria ndërmori veprim,” thuhet në dëshminë me shkrim të Haugen që do t’i dorëzohet një nënkomiteti të Tregtisë së Senatit.
Haugen do t’i tregojë panelit se drejtuesit e Facebook rregullisht zgjedhin fitime mbi sigurinë e përdoruesit. “Udhëheqja e kompanisë di mënyra për t’i bërë Facebook dhe Instagram më të sigurt dhe nuk do të bëjë ndryshimet e nevojshme sepse ata kanë vënë fitimet e tyre të mëdha para njerëzve. Veprimet e Kongresit janë të nevojshme,” do të thotë ajo. “Për sa kohë që Facebook po funksionon në errësirë, nuk i jep llogari askujt. Dhe do të vazhdojë të bëjë zgjedhje që shkojnë kundër së mirës së përbashkët.”
Haugen, e cila punoi si menaxhere produkti në Facebook, u shfaq dje në emisionin e CBS “60 Minuta”, ku zbuloi identitetin e saj si sinjalizuese, e cila siguroi dokumente të përdorura në një hetim të Wall Street Journal dhe të një dëgjimi në Senat mbi atë se si Instagram shkakton probleme mentale te vajzat adoleshente.
Top Channel