Nëntoka muze e Durrësit ka ofruar të tjera dëshmi të antikitetit të vonë, po gërmimet arkeologjike në lulishten para filialit të postës shqiptare do të ndërpriten.
Gjetjet do të groposen, siç ka ndodhur rëndom në 3 dekadat e fundit për t’ia lënë vendin betonit. Kësaj hapësire publike i ka dalë pronari.
”Është mungesa e mirëkuptimit me Komunitetin Mysliman që e zotëron këtë si pronë private. Në mungesë të dijenisë ne shohim që është hapësirë publike dhe në këto kushte nuk e dinim që është hapësirë private”, thotë arkeologia Brikena Shkodra.
Komuniteti Mysliman ka kërkuar nga Ministria e Kulturës ndërprerjen e punimeve në pronën e tyre, ndërsa arkeologët kishin nisur dokumentimin e strukturave që dëshmojnë potencialin e madh të zonës e cila mund të kthehej në një park arkeologjik me ndikim në zhvillimin ekonomiko-turistik të qytetit.
”Do të ishte një vlerë e shtuar dhe që i ka munguar Durrësit nëse e gjithë kjo hapësirë do të gërrmohej dhe kthehej në një park arkeologjik. Potenciali është i jashtëzakonshëm dhe nëse mendojmë atë që ndodhi me lulishten ”1 maji” para se të ngrihej pallati përballë mund të themi se e gjithë infrastruktura e qytetit romak që u zbulua atje, vazhdon edhe këtu. Do të ishte mirë të mos përsëritej e njëjta situate”.
Ndërtimet pa kriter të dekadave të fundit i kanë shkaktuar dëme të pakthyeshme historisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm qytetit të Durrësit.
Top Channel