Nis puna për Skavicën/ Hidrocentrali me vlerë 500 milionë dollarë do ndërtohet me ndihmë amerikane

02/10/2021 15:17

Në Luginën e Lumit Drin, këto makineri të rënda nisën gërrmimet gjeologjike të nevojshme, të cilat i paraprinë nisjes së ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës.

Do të jetë kompania amerikane Bektel e cila do të ndërtojë këtë vepër të rëndësishme energjetike për vendin tonë.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ministria Belinda Ballaku panë nga afër punën e nisur të këtij hidrocentrali pas dhënies së një kredie nga qeveria amerikane Tetorin e vitit të shkuar.

 “Projekti i përfunduar do të ketë një ndikim të thellë në peizazhin energjetik të Shqipërisë. Ky projekt jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë një hap më pranë shndërrimit në një eksportues të qëndrueshëm të energjisë, më shumë se sa importon, dhe që mund të ndihmojë për të zgjidhur ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe brenda një rajoni që është tepër i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit”, tha Kim.

Ministria Belinda Ballaku tha se Skavica ka qenë një ëndërr e të gjithë shqiptarëve që bëhet realitet.

“Në tregjet ndërkombëtare energjia po shitet me diferencë shumë të madhe nga ajo që shitej para një viti duke krijuar probleme dhe mungesa të mëdha duke bërë që çmimi të kapë limite të paparashikueshme deri më sot. Ndaj siguria energjetike është thelbi i këtij projekti të rëndësishëm duke e kthyer Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë së rinovueshme dhe jo importues me çmime të mëdha që krijojnë probleme të rëndësishme financiare në buxhetin e shtetit”, tha Balluku.

Përpjekjet për ndërtimin e hidrocentralit e Skavicës që kap vlerën e 500 milion dollarëve, u konkretizuan një vit më parë kur nënsekretari amerikan, i atëhershëm për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin Keith Krach vizitoi Shqipërinë dhe nënshkroi një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Top Channel