Shtrenjtimi i bukës! ‘Shpëtojnë’ kompanitë, në mbledhjen e Komisionit të Konkurrencës u vendos të mos gjobiteshin

29/09/2021 17:13

Në mbledhjen e Komisionit të Konkurrencës u vendos me shumicë votash që të mos gjobiteshin kompanitë që operojnë në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit.

Pak ditë më parë, ky institucion realizoi një seancë dëgjimore me kompanitë importuese të miellit dhe grupit dhe disa ministri për të parë nëse ishin realizuar detyrat e vendosura nga autoriteti një vit më parë. Pas analizës, rezultoi se asnjë nga institucionet shtetërore por edhe kompanitë private nuk kishin përmbushur asnjë detyrë, por megjithatë u vendos mos gjobitja e tyre.

Anëtarët që votuan kundër vendosjes së gjobës janë: Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba.

lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/09/23/shtrenjtimi-i-bukes-i-organizuar-autoriteti-i-konkurrences-nuk-gjobit-dot-kompanite/

Njoftimi

Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e datës 29.09.2021, lidhur me vendimin “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara me VKK nr. 700, datë 24.07.2020”, në një votim 2 pro dhe 3 kundër, nuk miratoi propozimin e Sekretariatit për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit.
Anëtarët që votuan pro vendosjes së gjobës janë:
Znj. Juliana Latifi
Z. Eduard Ypi
Anëtarët që votuan kundër vendosjes së gjobës janë:
Znj. Leida Matja
Znj. Adriana Berberi
Z. Denar Biba

Top Channel