FOTO/ “S’jam vrasës, por mos më detyroni”, mesazhi që Aldi Rama përcjell me tatuazhin në krah. Familje me probleme, prindërit e divorcuar

29/09/2021 13:17

Aldi Rama, vrasësi i efektivit të policisë, Saimir Hoxha, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin e Traumës.

21-vjeçari nuk ka mundur dot t’i shpëtojë plagës me armë zjarri, për të cilin deri tani thuhet se e ka shkaktuar vetë ai.

Pak orë pas ndarjes nga jeta të riut u publikua edhe fotoja e tij nga vendi ku u gjet i shtrirë përtokë nga efektivët e policisë. Ajo që u vu re nga kjo foto ishte edhe një tatuazh me mbishkrim në krahun e tij.

“Unë nuk jam një vrasës, por mos më detyroni”, është përkthimi fjalë për fjalë i asaj që ka shkruar. Duket se frymëzimin e ka gjetur tek një prej këngëve të 2Pac.

Aldi Rama ishte me origjinë nga Librazhdi, jetonte i vetëm me gjyshen dhe gjyshin pasi prindërit e tij ishin të divorcuar.

Në vitin 2019 Aldi Rama është arrestuar nën akuzën e vjedhjes dhe posedim kanabis. I riu i kishte vjedhur telefonin të dashurës dhe më pas ajo e kishte denoncuar në polici edhe për dhunë fizike.

Si ndodhi ngjarja:

Saimir Hoxha ishte së bashku me 2 punonjës të tjerë policisë në operacionin anti kanabis, ku asgjësuan 62 bimë narkotike. Punonjësit e Policisë kanë qenë me veshje civile dhe njëri prej tyre ishte me jelek fosforeshent me mbishkrimin Policia.

Gjatë kthimit, në një distancë rreth 500 metra nga miniparcela ku u asgjësuan bimët narkotike, grupi i kontrollit është shkëmbyer me automjetin tip “Volksëagen” me  targa AA984TL,  në vendin e quajtur Vain, Ishull Lezhë. Ky automjet, pasi është shkëmbyer me automjetin që  lëviznin punonjësit e policisë, pas disa minutash është kthyer dhe ka lëvizur në drejtim të qytetit të Lezhës, mbrapa automjetit të punonjësve të  Policisë.

Makina e anti drogës ka vendosur që ta ndalojë automjetin dhe të ushtrojë kontroll, në vendin e quajtur “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”. Pasi iu është dhënë shenjë ndalimi, me qëllim verifikimin e tyre, automjeti është ndaluar dhe punonjësit e Policisë, pasi janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit, u kanë kërkuar personave që ndodhshin në automjet dokumentet e identifikimit dhe kanë ushtruar kontroll fizik tek shtetasit Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të cilët kanë paraqitur dokumentet e identifikimit dhe i janë bindur kontrollit fizik të Policisë.

Në momentin që nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, Aldi Ramës që ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, ai është shprehur se ”Unë nuk jam për tu kontrolluar…”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe e ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i Policisë ka gjetur vdekjen. Autori i vrasjes së oficerit të Policisë ka mundur të kalojë në vendin e  shoferit dhe është larguar me automjetin me të cilin udhëtonin këta persona.

Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, që përkojnë me armët e punonjësve të Policisë. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda. Në ndihmë të grupit të kontrollit, pas njoftimit të dhënë për ngjarjen, kanë shkuar forcat “Shqiponja” dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore dhe te Komisariatit të Policisë Lezhë.  Nga ndjekja që i është bërë automjetit, autori Aldi Rama, ka braktisur makinën dhe është larguar me vrap, duke iu fshehur ndjekjes së mëtejshme të forcave të Policisë.

Menjëherë, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë,  të Komisariatit të Policisë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë marrë masa për kufizimin e zonës dhe ngritjen e pikave të kontrollit.

Në ndihmë të tyre janë dërguar me urgjencë forcat special Renea, Reparti i FNSH Shkodër dhe Reparti i FNSH Tiranë. Në drejtimin e  këtyre forcave kanë qenë drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Pas disa orë ndjekjeje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej  autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit.

Forcat special Renea dhe FNSH kanë bërë rrethimin në një perimetër të gjerë të vendit, ku fshihej autori  i dyshuar i ngjarjes dhe i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për rreth 45 minuta që autori të vetëdorëzohej. Shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes për vetëdorëzim, por është vetëplagosur në kokë me armën  tip TT, e cila u sekuestrua  në cilësinë e provës materiale. Po kështu, në afërsi të vendit ku u gjet i vetëplagosur autori, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë  provës materiale një gëzhojë  model 54 e kalibrit 7.62 milimetra  si ato  që përdorin pistoletat TT.  Autori i vetëplagosur është transportuar me barelë menjëherë deri në vendin e quajtur  “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”, pasi ishte e pamundur futja e autoambulancës në vendngjarje, për shkak të terrenit. Më pas është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë me autoambulancë dhe më vonë nga autoritetet spitalore është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës Tiranë.

 

FOTO GALERI
7/17
Nëna e Aldi Ramës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA