Vrau policin në krye të detyrës/ Gjendet vendndodhja e autorit, mund të fshihet lehtësisht në ujë (Pamjet)

28/09/2021 14:02

Vendndodhja e Aldi Ramës, autorit të vrasjes së policit Saimir Hoxha gjatë operacionit anti-drogë është gjetur nga policia.

Efektivët kanë rrethuar zonën, por ndalimi është i vështirë për shkak se zona është kënetë dhe mund të fshihet lehtësisht në ujë.

Mësohet se vrasja ka ndodhur në një postbllok të ngritur nga policia në Ishull Lezhë. Policia ka vënë re një makinë të dyshimtë dhe i ka kërkuar që të ndalonte.

Ndërsa oficeri Saimir Hoxha ka shkuar për ta pyetur e kërkuar dokumentacionin e nevojshëm, i riu ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar për vdekje.

Më pas autori është larguar me makinën, por rreth 3 minuta larg vendit të ngjarjes është gjetur mjeti i tij. Kjo ka krijuar dyshimet se autori është larguar në këmbë.

Policia aksion me helikopterë

Policia e Lezhës ndihmuar nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për kapjen e autorit.

Sikurse shihet edhe nga pamjet policia ka ndërhyrë edhe nga ajri me helikopterë për lokalizimin e të riut, i cili në këto momente është një rrezik potencial, pasi është duke qarkulluar i armatosur.

Policia ofron 20 mijë euro shpërblim

Policia e Shtetit ofron 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së Saimir Hoxhës dhe çdo persona që ka informacionin mund të kontaktojë në numrin 0694110853, duke iu garantuar anonimati i plotë.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën. Krahas punës intensive për kapjen e autorit, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit  ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt. Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853”, njofton policia.

Top Channel