Komisionet parlamentare e nisën punën më sherr. Demokratët ashtu siç kishin paralajmëruar  u paraqitën fizikisht  në  Kryesinë e Kuvendit ndryshe nga kolegët e tyre të mazhorancës të cilët u shfaqën përmes platormave online.  

Përplasja e parë  mes palëve ndodhi në Komisionin e Ligjeve ku në pamjet e servirura  nga Kuvendi u shfaq me zë dhe video vetëm kryetarja Klotilda Ferhati Bushka. Demokratët kishin marrë masa për të  përcjelle ne kohe reale përmes aparatëve të tyre celulare.

Socialistët përdoren si argument vendimin e konferencës së kryetarëve që mbledhja të mos zhvillohej fizikisht. Demokratët e cilësuan vendimin si përpjekje per ti mbyllur gojën opozitës.

Bylykbashi: Mazhoranca, Edi Rama po i mohon opozitës që të marrë pjesë dhe të kundërshtojë në Parlament të gjitha aferat që ai përpiqet t’i kthejë në Ligj dhe në këtë mënyrë të zhvasë shqiptarët ditë për ditë.

Edhe pse nuk iu dha e drejta e fjalës  demokratët u treguan më të vetëpërmbajtur në mbledhjen e Komisonit të Sigurisë, ku drejtues ishte Nasip Naco i  rreshtuar tashmë në radhët e mazhorancës.

Naco: Nëse doni të bëheni pjesë e mbledhjes duhet të hyni online.

Qëndrimin politik Flamur Noka e dha për gazetarët pasi kamerat e Kuvendit u fikën.

Noka: Kjo është frikë nga opozita, kjo është frikë nga parlamentarizmi, ne e kemi bërë me dije gjithmonë, Edi Rama e urren parlamentarizmin. Edi Rama e urren vlerat që përcjell parlamentarizmi, ndaj po bën gjithçka që t’i mbyllë zërin opozitës dhe parlamentarizmit.

Komisoni i Shëndetësisë i drejtuar  nga demokratët  nuk u transmetua online ndërkohë  Kryetarja e Komsionit   për politikën e Jashtme Mimi Kodheli vendosi që mbledhjen ta drejtoje  nga zyra e saj për të shmangur prezencën fizike të opozitës në sallë. Lëvizja Socialiste për Integrim zgjodhi të bëjë forcën konstruktive  duke   marrë pjesë në mbledhje permes te dyjave formave.

Top Channel