“Të bashkëpunojmë kundër armiqve”, Mitsotakis flet në OKB për marrëdhëniet me Turqinë

26/09/2021 10:52

Një vend të rëndësishëm i ka rezervuar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis marrëdhënieve me Turqinë në fjalimin e tij në asamblenë e 76-të të OKB.

Duke e cilësuar agresive sjelljen e fqinjëve ai i ka vënë në dukje  faktin se Greqia po përballet ende me statusin e gjendjes së luftës dhe ka kërkuar nga Ankaraja të mos përsërisë  tensionet e krijuara vitin e kaluar.

Kyriakos Mitsotakis: Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin dhe të drejtat tona në të gjithë territorin tonë, në tokë, në det dhe në hapësirën tonë ajrore. Në të njëjtën kohë, unë nuk do të kursej asnjë përpjekje për të vazhduar kontaktin me Turqinë për të eksploruar rrugët e bashkëpunimit.

Gjithashtu Kyriakos Mitsotakis ka paraqitur si një mjet të fuqishëm negocimi me Turqinë sa i përket ZEE, marrëveshjes që Athina nënshkroi vitin e kaluar me Romën dhe Kajron.

Kyriakos Mitsotakis: Unë kam një vizion për Mesdheun Lindor: në vend vazhdojmë luftën dhe betejat e shekullit të kaluar per hidrokarburet – një produkt që humb vlerën – ne duhet të bashkojmë forcat dhe të bashkëpunojmë kundër armiqve të rinj të përbashkët. Kriza klimatike, e cila prek të dy vendet tona në mënyrë të barabartë. Por gjithashtu, kërcënimi i emigrimit ilegal.

Mitsotakis është shprehur pesimist dhe ka shprehur keqardhjen për zgjidhjen e situatës qipriote duke akuzuan Turqinë se po shkel rezolutat 541 dhe 550 të OKB –së. Tensioni mes Ankarasë dhe Athinës arriti kulmin në verën e vitit të kaluar kur dy vendet erdhën vetëm një hap larg një konflikti ushtarak sa i përket pretendimeve për kufijtë detarë dhe ZEE për shfrytëzimin e rezervave të gazit natyror në Mesdheun Lindor.

Ndërkohë Greqia vazhdon të rrisë arsenalin e saj ushtarak dhe ka marrë gjatë dy muajve të fundit dy avionët e parë RAFALE nga Franca, në një blerje me vlerë 2.32 mld euro që përfshin 12 avionë të përdorur të këtij tipi, 6 të rinj dhe gjithë arsenalin e tyre të armëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA