Ndihmoi bosin turk të kriptomonedhave, gjykata e lë të lirë/ Edevaldo Haxhiajn: U frikësova, mora disa dite pushime dhe ika në Dhërmi…

25/09/2021 12:21

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën ‘arrest shtëpie’ për 27 vjeçarin Edevaldo Haxhiaj, i cili ka ndihmuar për t’u arratisur të shumëkërkuarin, milionerin e kriptomonedhës turke, Faruk Fatih Özer.

Seanca e sotme për biznesmenin Edevaldo Haxhiaj u mbajt me dyer të mbyllura për shkak edhe të hetimit të personave të tjerë të cilët janë të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët janë në përgjim nga prokuroria dhe policia.

Siç bëjnë me dije burime të gazetares Anila Hoxha, i pandehuri tha para trupës gjykuese se nuk ka asnjë informacion se ku mund të ndodhet milioneri Faruk Fatih Ozer, i dyshuar në vendin e tij se mashtroi 391 mijë anëtare për shkëmbimin e monedhave virtuale dhe mbasi grumbulloi asete digjitale në vlerën e 2 bilionë dollarëve u largua nga Turqia.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka mësuar se Haxhiaj në deklaratën e tij tha gjithashtu se ra në kontakt me turkun pasi fliste gjuhën turke dhe kishte eksperiencë 15-vjeçare ku shpesh herë për shkak të biznesit të tij ka pritur shtetas të huaj edhe turq. Haxhiu ka rrëfyer se të gjithë shtetasit turq që priste i strehonte në të njëjtin hotel në Tiranë, pranë 21 dhjetori, aty ku strehoi edhe shtetasin turk.

Haxhia thotë se fillimisht ai e njihte me emrin Erkan dhe kur e ka takuar të nesërmen ai i është prezantuar si Faruk Fatih Ozer.

“Nuk e dija që ishte i shpallur në kërkim”, dëshmon ai.

Qytetari bën me dije se mesditën kur e kishte pritur ishin takuar dhe e kishte dërguar pranë zonës së ish bllokut, ku kanë qëndruar deri në orët e vona dhe më pas një person i quajtur Genti e kishte kthyer në hotel.

“Kur e mora vesh që ishte i shpallur në kërkim u frikësova dhe mora disa ditë pushime. Ika në Dhërmi dhe më pas hodha edhe telefonin nga frika”, ky është versioni që Haxhiaj ka dhënë.

Top Channel