Tenderi i Ujësjellësit Dragash peng i Institucioneve/ Komuna shpërfill vendimin e gjykatës, shpall fitues 5 herë të njëjtin operator

24/09/2021 20:40

Fiks Fare pak muaj me parë trajtoi problematikën e tenderit të ndërtimit të 15 Ujësjellësve në Komunën e Dragashit, Kosovë.

Procedura e tenderimit, ish zvarritur 4 vjet nga Institucionet qendrore dhe ato vendore, duke shpallur fitues operatorë të papërgjegjshëm. Shefi i prokurimeve të Komunës, Nuri Ismaili, pranoi që nëntë vendimet e Organit të Shqyrtimit të Prokurimeve janë të pazbatueshme pasi duhet të presin vendimin e Gjykatës së Apelit. Madje, specialistët e zyrës, thanë që ka edhe të fortë, nga lart, që po e mbajnë peng këtë proces.

Një muaj më vonë, Gjykata e Apelit, lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore, duke rrezuar kërkesën e komunës Dragash si të pa bazuar në ligj, ndërsa aktvendimi i ankimuar u vërtetua si i drejtë dhe i ligjshëm.

Pas vendimit të gjykatës, në muajin gusht, komuna ribëri edhe njëherë tenderin ku shpalli për të pestën herë radhazi fitues një operator i cili ishte vlerësuar edhe më parë si i papërgjegjshëm nga Organi i Shqyrtimit të Prokurimeve Kosovë. Duke i hapur kështu rrugën sërish ankimimeve dhe zvarritur sërish procesin i cili mund të përfundojë edhe njëherë ne dyert e gjykatës.

Gazetarët e Fiksit të cilët udhëtuan drejt Dragashit, u munduan të kontaktonin me shefin e zyrës së prokurimit Nuri Ismaili. Ditën e parë ai nuk ndodhej në zyrë, dhe specialistët e zyrës sapo morën vesh që kishte shkuar Fiksi u shprehën se për Top Channel nuk pranojnë të flasin dhe madje mbyllën edhe zyrën me kyç nga brenda.

Pas këmbënguljes të gazetarëve ditën e nesërme, edhe pse shefi nuk ndodhej sërish në zyrë, ata mbajtën një tjetër qëndrim. Kërkuan një kërkesë zyrtare për tu përgjigjur me shkrim.

Në përgjigjen e tyre me shkrim, komuna e Dragashit vazhdon të godasë vendimit e OShP-së ku ndër të tjera pretendon se :
“Të gjitha ekspertizat e bëra nga ekspertet që ka angazhuar OSHP-ja janë vetëm kopjim i vendimit të panelit te OSHP-së, asnjëherë nuk ka pasur ekspertizë dhe argumenta për marrjen e vendimit.”

Ata përmendin edhe ekspertë amerikane të cilët kanë bërë akte ekspertize ku i kanë dhënë të drejtë komunës, por që nuk e venë në dispozicion një vendim të tillë.

Edhe pas vendimit të gjykatës, që rrëzoi kërkesën e Komunës Dragash, ata vazhdojnë të këmbëngulin se Operatori ekonomik të cilin kanë shpallur fitues i plotëson kriteret e kërkuara sipas dosjes së tenderit në njoftimin për kontratë-pune të realizuara.

Për sa i takon vendimit të gjykatës ata thonë se nuk e komentojnë, por pretendojnë se:

“Vendimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykates se Apelit nuk e komentojmë, vetëm se ju sqarojmë juve se nuk qëndron dhe është i pasaktë konstatimi juaj se keto Gjykata e kanë lënë në fuqi vendimin e OSHP-së.

Ndërkohë që në vendimi i Gjykatës së Apelit nuk lë vend për keqinterpretime pasi në të thuhet qartë se “Sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë është i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kjo gjykatë. Andaj, ankesa e paditëses u refuzua si e pa bazuar në ligj, ndërsa aktvendimi i ankimuar u vërtetua si i drejtë dhe i ligjshëm.”

Në fund të shkresës për Fiks Fare Komuna Dragash, vazhdon të përgjigjet në mënyrë arroganate, thua se është detyrë e gazetarëve të provojnë se vendimi që ata kanë marrë është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Në përgjigjen e tyre, ata përmendin vendime dhe ekspertiza të bëra na ekspertë, por përtej fjalëve nuk provojnë me dokumentacion pretendimet e tyre dhe shprehen se:”Me shpresën se do te verifikoni gjithë keto argumenta te lartcekura dhe do te raportoni dhe informoni opinionin e gjere publik me kohe drejte dhe ne mënyre objective, zaten edhe ky është misioni i juaj i shenjte si gazetari per informim te shpejte,drejte dhe me kohe ju përshëndesim.

Në bazë të ligjit, është detyra e tyre institucionale të provojnë që kanë marrë një vendim të drejtë, jo me fjalë, por me dokumentacion, të cilin duhet ta vendosin në dispozicion të gazetarëve, ashtu siç e parashikon edhe ligji për të Drejtën e Informimit, dhe jo të kyçin dyert e të mbajnë qëndrime në kundërshtim me të.

FOTO GALERI
4/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA