12 vjet mbasi Gjykata e Lartë pushoi gjykimin për ish Ministrin e Mbrojtjes , Fatmir Mediu do dalë sërish para një gjykate për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Vendimi që rikthen Gërdecin, u shpall nga gjyqtarja e Posaçme e Apelit, Saida Dollani e cila i lë dorë të lirë SPAK që megjithëse kërkoi gjykim të Fatmir Mediut ka dy mundësi , ose të vazhdojë më tej hetimet në rast se provat janë të paplota,  ose ta dorëzojë të pandehur ish-zyrtarin e lartë me të njëjtat gjetje të vitit 2009.

Këto zgjidhje sipas nenit 329 të kodit të procedurës penale , mund të çojnë automatikisht në thellimin e hetimeve përtej ish ministrit të mbrojtjes , ose dorëzimin e tij gjykatës antikorupsion.

SPAK pritet t’i komunikojë akuzën  Fatmir Mediut.

“Mund ta çojë kërkesën për gjykim, Gjykatës së Shkallës së parë. Do të presim dhe vendimin e zbardhur”, tha avokati Dorian Matlija.

Por në rast se Mediu dorëzon një rekurs të mundshëm në Gjykatën e Lartë, ky veprim nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen e SPAK . Pretendimet për parashtrim të çështjes për shkak të kohës që ka rrjedhur prej tragjedisë së 15 marsit 2008 , hidhen poshtë nga avokati i viktimave.

“Veprat penale që të parashkruhet duhet të kalojnë 10 vjet deri në momentin që merresh si i pandehur, ai nuk është se nuk është marrë si i  pandehur, është marrë që  në 2009 si i pandehur“, tha Matlija.

Vëllai i Erisonit të vrarë në Gërdec, Geraldo Durda zbulon sakaq se emrat që do kërkojë familja në gjykatë janë më të rëndësishëm se ish ministri i mbrojtjes.

“ Ka patur tabulate telefonike të  shtetasve të caktuar të cilët prokuroria nuk i ka thirrur as për t’i pyetur, e jo më për t’i hetuar, sigurisht që ne këto tabulate do i vëmë në dispozicion të Gjykatës.  E kam fjalën për përgjime që nuk janë hapur asnjëherë dhe për sypeshkaqenë , s’mund të them më shumë”, tha ai.

Megadosja e Gërdecit me 31 emra mes tyre emra ushtarakësh deri tek is-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha , u gjykua e copëzuar, njëra prej tyre nuk pati asnjëherë vendim fajësie apo pafajësie, për tjetrën që u gjykua në gjykatën e Tiranës , disa nga të pandehurit humbën rrugës së drejtësisë.

 

 

Top Channel