Fibrat janë një formë e patretshme e karbohidrateve, që gjenden në ushqimet me bazë bimore. Ekzistojnë dy lloje fibrash, të tretshme dhe të patretshme, ku secila ka vetitë e veta të dobishme.

Fibrat ndihmojnë sistemin e tretjes dhe ndikojnë në shpejtësinë me të cilën thithni disa lëndë ushqyese.

Megjithëse nuk sigurojnë asnjë vlerë ushqyese, ato lujanë një rol thelbësor dhe ofrojnë shumë përfitime shëndetësore.

Fibrat e tretshme

Fibrat e tretshme, treten në lëngje. Kur konsumoni ushqime të pasura me fibra të tretshme, ato pasi përzihen me lëngun e stomakut kthehen në një masë xhelatinoze.

Fibrat e tretshme në përgjithësi ngadalësojnë procesin e tretjes, duke lejuar trupin të përfitojë plotësisht nga lëndët ushqyese.

Ato gjithashtu ngadalësojnë marrjen e kolesterolit në zorrën e hollë, duke ulur nivelet e kolesterolit në gjak.

Në veçanti, këto fibra minimizojnë rritjen e kolesterolit të keq, që rritet pasi konsumoni ushqime me kolesterol.

Fibrat e tretshme ngadalësojnë thithjen e sheqerit në zorrë, duke parandaluar rritjen e glukozës në gjak pas një vakti me karbohidrate.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, këto efekte mund të ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit dy.

Burimet nga ku mund t’i merrni fibrat e tretshme

Disa fruta dhe perime janë veçanërisht të pasura me fibra të tretshme.

Disa prej tyre janë: portokalli, qitro, limoni, manaferrat, luleshtrydhet, boronicat, mjedrat, mollët, dardhët dhe bananet.

Legumet si bizelet, qiqrat, thjerrëzat dhe fasulet. Në këtë listë mund të shtojmë edhe elbin, tërshërën dhe krundet e tërshërës.

Fibrat e patretshme

Fibrat e patretshme nuk treten në lëngje. Përkundrazi, ato mbeten kryesisht të pandryshueshme teksa lëvizin nëpër sistemin tretës dhe dalin me jashtëqitjen.

Fibrat e patretshme stimulojnë aktivitetin e zorrëve tuaja, duke ndihmuar lëvizjen e ushqimit të tretur përgjatë sistemit tretës. Kjo lloj fibre, ju ndihmon dhe parandalon kapsllëkun.

Konsumimi i tyre mund t’ju ndihmojë të shmangni sëmundjen divertikulare. Një çrregullim inflamator i zorrëve që prek rreth një të tretën e amerikanëve të rritur.

Burimet nga ku mund t’i merrni fibrat e patretshme

Këtu përfshihen shumica e perimeve me gjethe jeshile, si spinaqi, lakra, brokoli, lulelakra dhe lakrat e Brukselit.

Buka, drithërat dhe produktet e pjekura të bëra me miell të plotë, janë burime të shkëlqyera të fibrave të patretshme

Po ashtu arrat, bajamet dhe arrat braziliane sigurojnë fibra të patretshme./AgroWeb.org

Top Channel