Mbledhja e dytë e Këshillit të Ministrave, Ahmetaj zbulon vendimet: Nga fondi për Rindërtimin tek marrëveshja me qeverinë gjermane

22/09/2021 16:30

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë me dije vendimet kryesore që janë marrë në mbledhjen e dytë të Këshillit të Ministrave të qeverisë “Rama 3”.

Ahmetaj bëri me dije se fondit shqiptar i kanë kaluar 30 milionë dollarë për të vijuar punën me Rindërtimin në mënyrë që gjithçka të përfundojë deri në shtator të vitit 2022. Ndërsa një tjetër vendim është shpronësimi me këmbim që do të bëjë të mundur vazhdimin e punës me 2-3 turne dhe shërbimin për shpronësim sipas ligjit.

Sa i përket studentëve,janë kaluar 3 marrëveshje me qeverinë gjermane për një shumë 20 mln euro hua dhe 5.8 mln euro grant për rikonstruksion të godinave të universiteteve publike.

Ahmetaj: Kjo është mbledhja e dytë e qeverisë dhe do të doja të ndaja me ju vendimet kryesore duke filluar me vendimet për programin e rindërtimit. Siç e dini, rindërtimi vijon me intensitet. Sot i kaluam me VKM fondit shqiptar rreth 30 mln dollarë për të vijuar punën në terren që të plotësojmë atë angazhim që kemi marrë për të mbaruar punët në shtator 2022.

Një vendim tjetër po në kuadër të rindërtimit, pra në lagjen 4 dhe 8 të kryeqytetit ku i hapet rruga punimeve me shpejtësi nëpërmjet shpronësimit me këmbim. Kjo do bëjë të mundur vazhdimin e punës me 2 dhe 3 turne dhe shërbimin ndaj qytetarëve që do të shpronësohen sipërfaqet sipas ligjit qoftë për truall, qoftë për banesa.

Në të njëjtën kohë, dua të ndaj me qytetarët dhe studentët që kaluam 3 marrëveshje të rëndësishme me qeverinë gjermane brenda paktit të universitetit një shumë prej 20 mln euro hua dhe 5.8 mln euro grant që do të shkojnë në rikonstruksion me eficencë energjie të godinave të universiteteve publike. Kemi filluar punën që para disa vitesh. Pakti i universitetit vijon me intensitet të gjitha angazhimet e kryeministrit dhe qeveria.

Top Channel