Fier/ Qindra qytetarë presin në takim Sali Berishën, merr pjesë edhe deputeti Baçi: Përkrah forcimin e radhës të PD

21/09/2021 18:06

Qindra demokrate dhe demokratë janë në pritje të takimit që lideri historik, ish-kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë pas pak minutash në Fier.

Mësohet se mes të pranishmëve janë ish-kryetarë të degës së PD në Fier, Ibrahim Morina apo Ferdinand Murati, si dhe kryetari aktual deputeti Luan Baçi.

I pyetur për pjesëmarrjen e tij në këtë takim, Baçi tha se përkrah forcimin e radhës të Partisë Demokratike.

“Është një debat i brendshëm është i yni dhe i zgjidhshëm nga ne. Unë jam bashkë me anëtarësinë dhe simpatizantë në Fier për një Parti Demokratike të Bashkuar. Berisha është Berisha dhe nuk është si gjithë deputetë e tjerë është histori te PD, personalitet, institucion dhe si i tillë nuk mund të shpreh edhe respektin që kam personalisht për Berishën”, tha Baçi.

I pyetur nëse i frikësohet faktit se njësoj si Berisha mund të përjashtohet edhe ai nga grupi i PD, për faktin se po merr pjesë në këtë takim, Baçi u shpreh se  largimi i tij është një veprim i detyruar nga disa rrethana të caktuara që me kohën do të rregullohet dhe do të ketë sërish një rikthim në vendin e vet.

“Nuk besoj se pyetje të tilla kanë vend për faktin se PD është demokratike, ka debatin për brenda dhe vendimi për Berishën ka tjetër kontekste dhe është një veprim i detyruar nga disa rrethana të caktuara që me kohën do të rregullohet dhe do të ketë sërish një rikthim në vendin e vet”, deklaroi Baçi.

Baçi u pyet edhe nëse do të merrte pjesë në një takim të Bashës, ku tha se: “Është detyra ime që jo vetëm të marr pjesë në takimin e Bashës, por të jem 1005 disponibël që çdo lloj udhëzimi dhe kërkese të Bashës. Ai është kryetari im dhe kjo nuk ndryshon asgjë”.

Ish-kryeministri Berisha pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat është duke mbajtur takime në të gjithë vendin për t’i rikthyer integritetin Partisë Demokratike. Basha vendosi që të përjashtojë Berishën nga grupi i PD, pas vendimit të SHBA për shpalljen e tij ‘non grata’.

Top Channel