Skandali në Fiks Fare/ 300 mijë lekë ryshfet në Apelin e Vlorës për të caktuar një datë gjyqi. 70 mijë për ta zbardhur!

20/09/2021 20:40

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku punonjës të kësaj gjykate, në bashkëpunim me avokatë-sekserë, kanë vendosur edhe çmime për shërbimet; 300 mijë lekë për caktimin e një date gjyqi.

70 mijë për zbardhjen e vendimit! Në fakt, nuk është “meny” restoranti, por kaq paguajnë qytetarët që të “mbarojnë punë” në këtë gjykatë. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një qytetare, e cila u zvarrit për gati 2 vjet për të caktuar një datë gjyqi për të zgjidhur martesën. Pasi priti procedurat normale dhe nuk mori shërbim, avokatja i kërkon 300 mijë lekë për t’ia dhënë punonjësve të gjykatës që të caktohet data e gjyqit. Dhe, vetëm disa ditë pas dhënies së kësaj shume, Gjykata e Apelit cakton datën dhe zhvillon gjyqin që u zvarrit 2 vjet me procedura normale.

Daniela Hajdini (Zeka) tha për gazetarët e “Fiks Fare” se i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për të zgjidhur martesën në vitin 2018. Në Fier ka zgajtur një vit gjyqi. Ajo apeloi vendimin në Vlorë. “Në Vlorë kam gati 2 vjet që s’më nxjerrin një datë për seancën gjyqësore. Unë jetoj në Roskovec te prindërit dhe më duhet të lëviz disa herë për në Vlorë. Jam interesuar disa herë, te gjyqtari, në sekretari, më thonë, prit, prit. Kemi bërë kërkesën e përshpejtimit mbi 10 herë, akoma duhet të pres. Gjyqtarin e parë e kapi Vetingu, me të dytën po pres” thotë ajo, duke shtuar se kërkon vetëm të bëhet gjyqi, pasi “secili duhet të shikojë jetën, si ai dhe unë”. Qytetarja thotë se ka zënë edhe një avokate. “Unë kam një avokate, Dhurata Sulaj. E kisha në Fier dhe tani e kam në Vlorë. E kam paguar në Fier dhe më ka thënë që në Apelin Vlorë nuk donte ryshfete, jam e paguar. Kaq. Tani unë pres datë nga ajo, në telefon më tha që donte ryshfete të tjera. Donte para të tjera që ta mbyll brenda muajit” thotë denoncuesja.

Pas denoncimit, qytetarja takon avokaten Dhurata Sulaj, në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe shkojnë dhe takojnë sekretaren e gjyqtares. Shkojnë brenda gjykatës dhe i thotë se ka biseduar dhe ta marrin parasysh atë kërkesën për përshpejtim. I japin emrin sekretares (Deniela Zeka) dhe të ish burrit, dhe i thotë se është e vitit 2018. Sekretarja i thotë ok dhe ato largohen nga gjykata. Më pas ulen në lokalin në afërsi të gjykatës dhe bëjnë pazarin. Denoncuesja i thotë se sa t’u jap, ndërsa avokatja i thotë se e ke dëgjuar atë historinë kush paguan… Denoncuesja i thotë përse nuk i ka thënë që duhen lekë, ndërsa ajo i përgjigjet “pse nuk e di ti këtë?!”. “Më lër mua lekë këtu që të nxjerr datën e gjyqit, kaq di unë” i thotë avokatja. Denoncuesja i thotë se s’ka marrë lekë me vete, ndërsa ajo i përgjigjet se “për çfarë të doja unë ty, për sy të bukur dhe për syze?”. “Unë i thashë (sekretares), i mbajti shënim ajo. Zemra, 20 herë kam bërë kërkesa. po nuk i kove…” i thotë avokatja, ndërsa i kërkon edhe lekët. Denoncuesja e pyet sesa lekë duhen. “Më bjer mua nesër në mëngjes 300 mijë lekë të mbaroj punë. Bjer lekët këtu të dalë data atje!” i thotë ajo.

Të nesërmen, denoncuesja shkon sërish në Vlorë dhe e takon avokaten në kafenenë në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, duke i dhënë edhe shumën prej 300 mijë lekësh. E takon para gjykatës dhe avokatja Dhurata Sulaj i kërkon direkt lekët. Avokatja i thotë se do të nxjerrë datën ditën e premte dhe të hënën do të kthejë përgjigje. Më pas, i jep 300 mijë lekë. Avokatja i thotë se të hënën të presë përgjigje. Denoncuesja e pyet se kush ishte ajo që takuan dje, ndërsa avokatja i përgjigjet “sekretarja jote, e gjyqit”. E pyet edhe për gjyqtaren, ndërsa i përgjigjet se është Iliba (Bezati), kryetarja (e Gjykatës së Apelit Vlorë). Avokatja i thotë se gjyqtaren e quajnë Iliba, ndërsa “kjo që takove ti, është Marjola, sekretarja”.

Disa ditë pas pagesës, në adresën e denoncues mbërrin një fletë thirrje për znj. Daniela Zeka që të paraqitet pranë kësaj gjykate më datë 14 korrik 2021, ora 09.20 në çështjen civile me palë të paditur Bledar Zeka, me objekt zgjidhje martese”. Trupi gjykues që gjykon çështjen përbëhet nga; Relator – Iliba Bezati, anëtar Sokol Ngresi, Nazmi Troka. Denoncuesja paraqitet në këtë datë në Apelin e Vlorës. Dëgjon thirrjen për çështjen civile me paditës Daniela Zeka dhe avokate Dhurata Sulaj dhe paraqitet në gjyq. Thirret në seancë dhe i përgjigjet gjyqtares Iliba Bezati se ka hequr dorë nga ankimi. “Çelim seancën gjyqësore me paditës Daniela Zeka… Atëherë, Gjykata e Apelit vendosi pushimin e shqyrtimit të çështjes” thotë gjyqtarja Iliba Bezati.

Pas dhënies së vendimit që zgjati pak sekonda, shkon dhe avokatja duke e pyetur se çfarë ndodhi. Më pas i thotë se tani mund të shkosh te Gjendja Civile që të marrë mbiemrin e saj. Më tej pohon se do të mundohet që ta bëjnë shumë shpejt vendimin. “Ajo (sekretarja) e di shumë mirë, i kam ngrënë veshët”, ndërsa me mimikë i thotë se “e kam paguar, të gjitha i kemi bërë”. Avokatja i thotë se do mundohet që t’i japë vendimin me kryesekretaren. “Është Bona, shoqja ime, ç’ke” i thotë.

Por edhe pas dhënies së vendimit, avokatja po zvarriste zbardhjen dhe i kërkon sërish para për t’ia përshpejtuar në Gjykatën e Apelit. Denoncuesja shkon sërish në Vlorë dhe takon avokaten Dhurata Sulaj. Avokatja i thotë se i ka bërë gjyqin në Fier dhe në Apel. “Mbaroi gjyqi dhe ta nxora datën. Procedurat për të çuar në Fier janë tjetër gjë. Deri te mbarimi i gjyqit ishe me mua, këto janë shërbime të tjera. Ti do të ndihmohesh apo… Unë të thashë duhet të paguash përsëri, ti më the s’kam përse të paguaj” i thotë, ndërsa denoncuesja i përgjigjet se ka paguar 30 mijë lekë taksi për të shkuar në Vlorë. “Të mi kishe dhënë mua, kishe mbaruar punë. Është procedurë tjetër. Është procedurë administrative” i thotë, ndërsa denoncuesja i kthen përgjigje se kjo çupa ka ikur. “Ç’të duhet ka ikur apo s’ka ikur. Më lër ndonjë lekë. Asnjëri s’e nxjerr nga radha për ty” i thotë. Në fund i kërkon edhe shumën që duhet të paguajë. “Do më lësh 12 mijë lekë për pullën dhe 50 për shërbimin që do të të bëj unë. Unë s’të jap letrën po s’më dhe lekët” i thotë. Qytetarja i jep 40 mijë lekë të vjetra, ndërsa avokatja i thotë se i ka edhe 30 mijë borxh. Ditën e hënë, i dërgon një zarf me vendimin e shkurtuar, të firmosur nga sekretaria e Gjykatës së Apelit Vlorë. Vendimi është firmosur në fund nga kryesekretarja Valbona Musta, por ajo i ka dërguar vetëm dispozitivin me vula të njoma të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Por, në vendim mungojnë firmat e tre anëtarëve të trupit gjykues, me kryesuese Iliba Bezati dhe me anëtarë Sokol Ngresi dhe Nazmi Troka. Në mes të muajit shtator 2021, në adresë të denoncueses shkon edhe vendimi i zbardhur.

***

Denoncuesja takon avokaten Dhurata Sulaj, në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe shkojnë dhe takojnë sekretaren e gjyqtares.

GJYKATA E APELIT, VLORË

Denoncuesja – Te gjykata jam, te trotuari. Ëë ja, të pash. Hajde. Ça po bën, opo lëre, ça po bën? Mëndja…
Avokatja – Të prita për Zotin, çfarë do për Zotin? Ti vete gjyqtarit…
Denoncuesja – … është?
Avokatja – Jo, nuk është.

Futen brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Vlorë në sallën e gjyqit, takojnë sekretaren

Punonjësi i gjykatës – Thuaj ta mbyllin derën
Avokatja – Ik, mbylle derën! Më thuaj emrin?
Denoncuesja – Daniela Zeka.
Avokatja – Kam bërë një kërkesë… Është zgjidhje martesë, vetëm që të heqë mbiemrin nga gjendja civile, se ka marrë tjetër burrë dhe kanë bërë fëmijë bashkë.
Sekretarja – Po ja ta mbaj shënim.
Avokatja – Po të lutem…
Sekretarja – Si e ka emrin?
Denoncuesja – Daniela Zeka.
Avokatja – Daniela Zeka.
Sekretarja – Po burri?
Denoncuesja – Bledar Zeka.
Avokatja – Ish-burri, Bledar Zeka.
Avokatja – Kam bërë kërkesën, të kam lënë diçka, … diçka. Është e 2018-ës.
Denoncuesja – Është e disata herë që po vij këtu për të njëjtën gjë.
Avokatja – Është zgjidhje martese, hë të keqen motra, se… Ikim?
Denoncuesja – Faleminderit.

Ulen në një lokal…

Avokatja – Ti për çfarë do ta dish?
Denoncuesja – Sa t’u jap unë atyre?
Avokatja – Motra, nuk të them unë motra.
Denoncuesja – Tani ti më the po unë s’di shumëzim, apo pjesëtim çfarë me the. S’e mora vesh unë. Kam hall, më shumë…
Avokatja – Moj ti, ke dëgjuar atë historinë ti kush paguan… Unë i kam bërë kërkesat.
Denoncuesja – Po mirë po pse s’ma the ti mua më parë këtë.
Avokatja – Pse nuk e di ti këtë.
Denoncuesja – Jepja lekët atij që zuri Vetingun lekët dhe e kishte mbaruar.
Avokatja – Pse nuk e di ti këtë.
Denoncuesja – Po ku di gjë unë, nuk jam marrë me këto punë. Jam marrë unë me këto punë?
Avokatja – Ore më lër mua lekë këtu të nxjerr unë datën e gjyqit, kaq di unë.
Denoncuesja – Po sa mund të lë?
Avokatja – Sa të duash ti, s’të them unë kaq e aq. Sa mendon ti?
Denoncuesja – Po sa më shkon, se unë s’kam marrë lekë. Se unë e kam andej burrin dhe i them.
Avokatja – Po unë të thashë, të thashë. Për çfarë të doja unë këtu, për sy të bukur dhe për syze?! Unë të thashë, i mbajti shënim ajo (sekretarja).
Denoncuesja -Po mirë i mbajti shënim, po unë vij prapë nesër ti bie.
Avokatja – Jo moj të vetë shtrenjtë ashtu. Pse sot s’erdhe për këtë punë?
Denoncuesja -S’më vete shtrenjtë mua moj, se vij prapë s’e kam problem.
Avokatja – Po mirë hajde ça të them unë.
Denoncuesja – S’e kam problem, po tani sa tu jap?
Avokatja – Sa të me ndodh ti, unë jam këtu.
Denoncuesja – Po me 50-çe atë s’e gënjen dot, di gjë unë.
Avokatja – Motra, 20 herë kam bërë kërkesa.
Denoncuesja -Sa herë të kam thënë unë ty.
Avokatja – Po nuk i kove, nuk…
Denoncuesja – Po unë ty sa herë të kam thënë. Dhurata, duan lekë aman?
Avokatja – Po si moj nuk duan lekë, qysh nuk i dashkan lekët.
Denoncuesja – Ti jap ty dhe ndahua lekët.
Avokatja – Mi jep mua dhe e di unë.
Denoncuesja – E mirë.
Avokatja – Bjemë lekët të të shërbej, bjem lekët të shërbej.
Denoncuesja -Aman kështu qënka puna, po të paktën të më mbyllet brenda muajit, ma bëni brenda muajit të paktën. Të vij nesër ti bie, do vij prapë.
Avokatja – Po mirë moj s’të thashë gjë. E zgjidh ti vetë hallin tënd.
Denoncuesja – Po sa do t’i them burrit t’i dërgojë që andej.
Avokatja – Aa ti s’je pa lekë moj lumadhe, kushedi sa lekë duhen.
Denoncuesja – Po tani mund të duan rrumbullak ata, 500 – çe.
Avokatja – Ça bën ti moj, ça bën ti. Mbush kjo more.
Denoncuesja – Po këtë di unë, hë? Moj ti tani, 200, 300?
Avokatja – Më bjer mua nesër 300 mijë lekë të mbarosh punë, ça 500-çe thua.
Denoncuesja – E mirë hajde, do vij prapë me kushëririn.
Avokatja – Po dhe ky, mi dërgo me kë të duash.
Denoncuesja – Ti dërgoj me kë të dua?
Avokatja – Me kë të duash.
Denoncuesja – Tani, do ti japësh atyre të mbarojnë?
Avokatja – Moj ç’punë ke ti, bjemë lekët këtu të të dalë data atje.
Denoncuesja – Të lutem, pse s’më thua?
Avokatja – Pse unë do të thëm ty që duhen lekë për të paguar.
Denoncuesja – Ku di gjë unë. Unë s’kam ndënjur gjithë jetën këtu që të…
Avokatja – Mirë, hajde.
Denoncuesja – Mirupafshim.

***

Të nesërmen, denoncuesja shkon sërish në Vlorë dhe e takon avokaten në kafenenë në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, duke i dhënë edhe shumën prej 300 mijë lekësh.

Avokatja – Vetëm je?
Denoncuesja – Vetëm, më solli.
Avokatja – Ëë, më jep lekët dhe ik.
Denoncuesja – Hajde, hajde ulemi.
Avokatja – Tani, kur është e premte?
Denoncuesja – E premte është pasnesër po do më nxjerrësh datën aman?
Avokatja – Absolutisht.
Denoncuesja – Të hënën pres përgjigje për atë.
Avokatja – Dale, kafeja çu bë?
Denoncuesja – Dale, se qysh i mora i theva të tëra unë. 1, 2, 3, 4 (50 mijë lekëshe). 1, 2, 3, 4, 5 (20 mijë lekëshe). Numëroji edhe njëherë.
Avokatja – Jo, 5 megjithë atë! 100, 200. 1, 2, 3, 4, 5 (20 mijë lekëshe). Treqindë (300 mijë lekë të vjetra).
Denoncuesja – Tani, të premten pres përgjigje.
Avokatja – Të hënën, të hënën.
Denoncuesja – Të hënën? Do më marësh vetë, apo të marr unë? Vetëm e dua këto dy javët e para bej çmos. Tani, ajo që takuam ne ça ishte, sekretare ça ishte?
Avokatja – Sekretarja jote.
Denoncuesja – Sekretarja?
Avokatja – Jotja.
Denoncuesja – E imja?
Avokatja – E gjyqit tënd.
Denoncuesja – Po avokatja ça e quanin?
Avokatja – Iliba, gjyqtarja. Ajo sekretarja do ja vërë përpara ajo do i thotë kështu, kështu, kështu.
Denoncuesja – Moj po kjo, ça e quajnë këtë.
Avokatja – E-mail ke ti?
Denoncuesja – E-mail, ta dërgoj në “ËhatsApp” po pata, do shikoj telefonin kam e-mail apo jo. Tani këtë…
Avokatja – Tani ti ke një njeri që të nisë një e-mail?
Denoncuesja – Kam, po për çfarë do ma nisësh e-mail -in? Do ikësh ti, këtë ça e quanin?
Avokatja – Iliba.
Denoncuesja – Po kjo ishte tjetër moj.
Avokatja – Kjo është Marjola, kjo që takove ti, sekretarja.
Denoncuesja – Gjyqtarja?
Avokatja – Iliba. Ik!
Denoncuesja – Në rregull.

***

Disa ditë pas pagesës, në adresën e denoncues mbërrin një fletë thirrje për znj. Daniela Zeka që të paraqitet pranë kësaj gjykate më datë 14 korrik 2021, ora 09.20 në çështjen civile me palë të paditur Bledar Zeka, me objekt zgjidhje martese”. Trupi gjykues që gjykon çështjen përbëhet nga; Relator – Iliba Vezani, anëtar Sokol Ngresi, Nazmi Troka. Denoncuesja paraqitet në këtë datë në Apelin e Vlorës. Dëgjon thirrjen për çështjen civile me paditës Daniela Zeka dhe avokate Dhurata Sulaj dhe paraqitet në gjyq.

Gjykata e Apelit Vlorë – Çështje civile, paditës Daniela Zeka, i paditur Bledar Zeka. Avokate Dhurata Sulaj, salla 1, kati 1.
Denoncuesja paraqitet në sallën e gjyqit
Gjyqtarja Iliba Bezati – Daniela Zeka?
Denoncuesja – Po.
Gjyqtarja Iliba Bezati – Ke hequr dorë nga ankimimi?
Denoncuesja – Po.
Gjyqtarja Iliba Bezati – Kush e ka bërë ankimimin?
Denoncuesja – Unë e kam bërë.
Gjyqtarja Iliba Bezati – Ti e kë bërë?
Denoncuesja – Po.
Gjyqtarja Iliba Bezati – Ulu.
Denoncuesja – Këtu.
Gjyqtarja Iliba Bezati – E ulu. Çelim seancën gjyqësore të çështjes civile Daniela Zeka paditëse. I paditur Bledar Zeka, për zgjidhje martese.
Denoncuesja – Daniela Zeka unë.
Gjyqtarja Iliba Bezati – Daniela e pranishme. Ti je Bledari?
I padituri – Po.
Gjyqtarja Iliba Bezati – Të dy të pranishëm. C cështja vjen në Gjykatën e Apelit, mbi ankmimin e palës paditëse Daniela Zeka, e cila ka hequr dorë nga ankimi. Pyetet kërkuesja nëse i qendron kësaj kërkese.
Denoncuesja – Po i qendroj.
Gjyqtarja Iliba Bezati – I qendron kësaj kërkesë. Atëherë, Gjykata e Apelit vendos pushimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit.
Denoncuesja – Faleminderit.

Vjen avokatja…

Avokatja – Mbaroi?
Denoncuesja – Po.
Avokatja – Në rregull. Jaq se do të vij.
Denoncuesja – Flasim jashtë. Pushimin e vendimit, si e thotë kjo?
Avokatja – Ç’punë ke, që të vesh në Gjendjen Civile të marrësh mbiemrin tënd, do mundohem ti them unë ta bëj shumë shpejt.
Denoncuesja – Aman ta marr brenda 5 ditësh, nëse duan ndonjë kafe tjetër ua jap.
Avokatja – Ajo (sekretarja) e di shumë mirë, i kam ngrënë veshët. Të gjitha i kemi bërë, do Zoti i bën.
Denoncuesja – Aman nëse do një kafe tjetër të mbaroj punë se dua të iki me vajzën e vogël në Itali, nuk po iki dot se s’po mbaroj divorcin.
Avokatja – Ok, do mundohem ta zgjidh unë me sekretaren.
Denoncuesja – Me sekretaren këtu?
Avokatja – Me kryesekretaren, ajo që nis vendimet, që mos…
Denoncuesja – Është këtu? Ç’është kjo kryesekretare.
Avokatja – Bona, një shoqja ime ç’punë ke.
Denoncuesja – Aman vetëm ma zgjidh këtë punë. Nëse do ndonjë gjë ajo se s’pyes për këto gjëra unë. Unë dua vetëm që të iki brenda korrikut, se më kalon afati i vajzës për regjistrim.
Avokatja – Do t’i them ta bëj këtë.
Denoncuesja – Kur të pres përgjigje unë?
Avokatja – Deri mbasdite do ta konsumoj që ta nisi me shkurtim…
Denoncuesja – Po sa më shpejt që të mundet ajo. Vetëm sa më shpejt.
Avokatja – Ti vetë ça the, ti vetë ça the?
Denoncuesja – Ajo më tha i qendroj kësaj.
Avokatja – Je dakort?
Denoncuesja – Po i thashë unë i qëndroj.
Avokatja – Në rregull. Ik më lër ta mbaroj këtë punë.
Denoncuesja – Mirupafshim.

***

Por, avokatja tani po zvarriste zbardhjen e vendimit të Apelit Vlorë dhe i kërkon sërish para për t’ia përshpejtuar në Gjykatën e Apelit.

Denoncuesja – Tani kjo sekretarja kishte ikur, e merr dot në telefon të më ashtu mua.
Avokatja – O zemra ime dëgjo mua. Unë kam qenë avokatja jote në Fier. Të bëra gjyqin në Fier, të bëra dhe gjyqin në Apel. Mbaroi gjyqi, ta nxora datën. Tani procedurat për të çuar në Fier janë tjetër gjë. Deri ta mbarimi i gjyqit ishe me mua, këto janë procedura të tjera.
Denoncuesja – Këtu ishim bashkë?
Avokatja – Këto janë procedura të tjera. Nëse do shërbim.
Denoncuesja – Ne s’kemi bërë shkollë dhe s’marim vesh nga këto, prandaj. Ti ke bërë një thes me shkollë.
Avokatja – Po jo moj, lëre shkollën. Unë po të them edhe njëherë, di do të ndihmohesh.
Denoncuesja – Të më ndihmosh të më regjistrosh çupën tani, se vjen gushti dhe s’e regjistroj dot më unë.
Avokatja – Po unë kur të thashë duhet të paguash përsëri, ti më the s’kam përse të paguaj.
Denoncuesja – Ku di gjë unë që ishin kështu ato.
Avokatja – Po tani ti s’më beson mua, pse nisesh në rrugë për këtë.
Denoncuesja – Kam paguar 30 mijë lekë taksi që kam ardhur.
Avokatja – Pse do të vish me taksi, të mi kishe dhënë mua ato lekë do të kishe mbaruar punë. Do ta nisja unë me një avokate dhe do të merrje Niken. Kjo është tjetër procedurë, procedurë administrative.
Denoncuesja – Kjo çupa këtu ka ikur, sot s’m’i jep dot.
Avokatja – Po ç’të duhet ty ka ikur apo s’ka ikur ajo.
Denoncuesja – Tani dua të mbaroj punë me çupën se më mbaron afati tani në korrik edhe në gusht nuk e regjistroj dot.
Avokatja – Po më lër ndonjë lekë moj zemra ime.
Denoncuesja – Po sa të lë unë tani se unë jam edhe një çik hollë tani.
Avokatja – Është punë, asnjëri nuk e nxjerr nga radha për tyja.
Denoncuesja – Sa, sa ti jap? Unë 40 mijë lekë (të vjetra) kam me vete.
Avokatja – Ëëë 40 mijë, ke paguar edhe 30 taksi ti.
Denoncuesja – Pse do më shumë ajo?
Avokatja – Po ç’punë ke ti kush do? Do puna moj zemra ime!
Denoncuesja – 50, sa do 50? Tani kjo është e sigurtë që mua më vjen letra të hënën tani?
Avokatja – Di do më lësh mua 12 mijë lekë të pullës dhe një 50-çe për shërbimin që do të të bëj unë.
Denoncuesja – Të hënën ta kam atje?
Avokatja – Do vij vetë moj, do vij vetë. Do vij vetë në Fier të hënën që në 8-të.
Denoncuesja – Do më marësh të hënën?
Avokatja – Po s’i s’do të të marr, s’të jap letrën po s’më dhe lekët. 12 mijë bën..
Denoncuesja – Unë 40 kam, se 60 kisha të gjitha.
Avokatja – Ee uu, paguaj nëpër taksira ti. 62, do më japësh edhe një 7 mijë lekëshe mua, bëjnë 70 mijë.
Denoncuesja – Po ça të bëj, ça të bëj.
Avokatja – Do më japësh edhe një 30-çe të hënën. Do më japësh edhe një 30-çe të hënën, do vij shumë shpejt unë.

Denoncuesja i jep 40 mijë lekë të vjetra

Avokatja – Po më ke edhe një 30 mijë lekësh. Dhe do marrësh te Nikja vendimin që ta çosh në Gjendjen Civile që të regjistrosh fëmijën.
Denoncuesja – Dhe të marr mbiemrin tim, se më mbaron afati…
Avokatja – Po, poooo.

Ditën e hënë, i dërgon një zarf me vendimin e shkurtuar, të firmosur nga sekretaria e Gjykatës së Apelit Vlorë. Vendimi është firmosur në fund nga kryesekretarja Valbona Musta, i ka dërguar vetëm dispozitivin me vula të njoma të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Por, në vendim mungojnë firmat e tre anëtarëve të trupit gjykues, me kryesuese Iliba Bezati dhe me anëtarë Sokol Ngresi dhe Nazmi Troka. Ndërkohë, në mes të muajit shtator 2021, në adresë të denoncueses, vjen edhe vendimi i zbardhur.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA