Një metodë e re shkencore mund të ndihmojë shërimin e kancerit të prostatës brenda një jave, thotë the Sun, një zhvillim ky që nëse materializohet vërtet jep shpresë për mijëra të prekur prej sëmundjes së rëndë.
Avancimet e mëdha në drejtim të radioterapisë nënkuptojnë se trajtimi mund të jepet brenda disa ditësh. Deri tani janë dashur 20 seanca radioterapie që të luftohej ky lloj kanceri, i treti më vdekjeprurës në Britaninë e Madhe. Tani, me metodën e re do të mjaftojnë vetëm dy seanca gjithsej për mposhtjen e sëmundjes.
Një test i ri klinik, i kryer nga mjeket e Royal Marsden, pati rezultate shpresëdhënëse. Sipas ekspertëve, reduktimi i seancave nënkupton se radioterapia do të fokusohet direkt e tek tumori. “Burrat mund të vijnë këtu, të shërohen e të vazhdojnë jetën normalisht”, tha Alison Tree, mjeke onkologe në Royal Marsden dhe anëtare e Institutit për kërkimet e kancerit në Londër.
Sakaq, edhe gjogandi farmaceutik anglez AstraZeneca njoftoi rezultatet “novatore” të një ilaçi të ri për kancerin e gjirit, për të cilin thonë se zvogëlon rrezikun e vdekjes ose përparimit të sëmundjes me 72 përqind, në krahasim me trajtimet aktuale. Kompania e ilaçeve tha se rezultatet e provës së saj të ilaçit Enhertu në trajtimin e kancerit të gjirit treguan “një prirje të fortë drejt mbijetesës dhe përmirësimit të pacientëve”.
Top Channel