Inaugurimi i TKOB, Rama publikon pamjet nga “Grand Gala”: Kushte dinjitoze, artistët do ndihen të respektuar

19/09/2021 21:35

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar momente nga “Grand Gala” që shënoi inaugurimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit pas rikonstruksionit.

“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shkruan Rama bashkangjitur videos, ndërsa jep edhe një mesazh nga ambientet e TKOB.

Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.

“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ja dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve.

Kemi një teatër të ri kombëtar i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare por edhe kërcimtarët, valltarët, këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”, shprehet Rama në video-mesazhin.

Top Channel