E gjithë veprimtaria e kryeministrit dhe ministrive në informimin e publikun do të koordinohet nga një agjenci e vetme duke centralizuar kështu komunikimin ndërinstitucional jo vetëm me qytetarët por edhe median.
Vendimi i parë i qeverisë së re është krijimi, Agjencisë për Media dhe Informim financuar nga buxheti shtetit.
Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit i cili bën edhe emërimin.
Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është edhe zëdhënës i Këshillit të Ministrave.
Detyrat e kësaj agjencie janë transparenca në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore.
Pjesë të punës do të ketë edhe përgatitjet e qëndrimeve dhe sondazheve qeveritare mbi çështjet me interes publik.
Të gjitha konferencat për shtyp të Kryeministrit dhe ministrave do të mbajnë firmën organizative të Agjencisë për Media dhe Informim.
Çdo kërkesë e gazetarëve për të intervistuar zyrtarët shtetëror do të kalojë nga kjo agjenci e cila do të mundësojë takimet periodike me mediat të zëdhënësit të Këshillit të Ministrave apo zëdhënësve të ministrave sipas fushave të tyre.
Pyetur nga Top Channel se në cilin model bazohet krijimi Agjencisë për Media dhe Informim një zëdhënës i qeverisë tha se është marrë për bazë modeli që përdor qeveria Gjermane.
Top Channel