Deputeti demokrat Ervin Salianji iu përgjigj sot kritikave se Partia Demokratike e ka mbyllur misionin e saj.
“Ka nga ata të marrë që ëndërrojnë shkrirjen e Partisë Demokratike, apo nga ata që thonë se Partia Demokratike e ka mbyllur misionin e saj. Partia Demokratike është partia me e suksesshme e tranzicionit shqiptar. Është partia që e ka të lidhur historinë e saj me demokracinë. Duhet thënë dhe nga kjo foltore, se më kot keni iluzione, do dhe zhvillimin e Shqipërisë. Dhe askush nuk mund t’ia marrë këtë histori. Më kot shpresoni ta zhbëni këtë histori”.
Sot kryeministri Rama prezantoi në parlament projekti qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Por, sipas Salianjit, edhe kjo legjislatura dhe ky pushtet do jetë po njësoj si dy legjislaturat e kaluara, “ku u shënua numri rekord i njerëzve me precedent kriminal të veshur me kostumin e pushtetit, ku u aprovua numri rekord i koncesioneve ne favor të një grushti njerëzish, ku rritja e taksave arriti nivele të papara ndonjëherë, ku deputetët u kthyen në kukulla që aprovonin ligje me urdhër të Edi Ramës për interesat financiare të miqve të tij, ku pushteti u përdor për të pasuruar disa e për të varfëruar pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptare, që tashmë kanë marrë rrugën drejt Europës duke thyer të gjitha rekordet e numrit të azilkërkuesve për frymë, ku asnjë hap para nuk u shënua në procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.
Top Channel