12 mijë punëtorë të huaj në Francë kanë përfituar nga një skemë e posacme që i lejoi përshpejtimin e procedurave për marrjen e nënshtetësisë franceze, e kjo, falë shërbimeve të tyre gjatë krizës së Covid 19.
Skema në fjalë synon të ndihmojë njerëzit, vendet e punës së të cilëve janë vënë në rrezik nga kriza. Nëpërmjet saj, punonjës e shërbimeve thelbësore mund të aplikojnë për pasaportën franceze edhe pas vetëm dy vitesh në Francë, në vend të pesë viteve që kërkohen zakonisht. Po kështu, përshpejtohet dhe procesi i aplikimit që në përgjithësi kërkon mesatarisht rreth dy vite kohë.
Vitin e kaluar, rreth 16.000 persona aplikuan përmes kësaj skeme për qytetarinë franceze. 12.012 prej tyre patën sukses. Ata përfshijnë punonjës shëndetësorë, roje sigurie e staf pastrimi në sektorin shëndetësor, asistentë etj. “Këta punonjës së vijës së parë të frontit në luftën kundër pandemisë iu përgjigjën kombit në një moment të vështirë. Vendi ia doli mbanë edhe falë tyre”, tha ministrja e qytetarisë, Marlene Schiappa.
Gjatë karantinës së parë prillin e vitit 2020, kur pandemia e Covid 19 ishte në kulmin e saj, qeveria franceze e shpërbleu stafin e spitaleve franceze dhe azileve të të moshuarve me bonuse që shkonin nga 1.000 deri në 1.500 euro.
Top Channel