Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit për mos shtyrje të zgjedhjeve lokale, duke thënë se me këtë është mbrojtur demokracia në vend.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se askush nuk ka të drejtë të cenojë vullnetin e qytetarëve për të votuar.

“Në mbrëmje, ndërsa, në takim me partitë politike, mbrojtëm demokracinë, gjënë më të shenjtë në vend. Zgjedhjet janë festë. Aty shprehet vullneti fundamental i qytetarëve tanë; dhe në demokraci rëndësi ka që qytetarët të jenë të lirë të votojnë për këdo që preferojnë. Këtë vullnet askush s’mund e s’guxon ta prekë. Prandaj 17 tetori është ditë e demokracisë”, shkruan Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Sot, në mbledhjen e radhës së Kryesisë së LDK-së morëm vendim që të heqim dorë vullnetarisht nga fushata konvencionale zgjedhore. Për shkak të situatës së rënduar pandemike, produkt i papërgjegjësisë së Qeverisë, ne do të reduktojmë fushatën konvencionale në vetëm pesë ditë – deri në mos zhvillim të plotë të saj po që se nuk ka përmirësim. Ky propozim është mbështetur nga pjesa më e madhe e partive në vend; të cilat i falënderoj për përgjegjësi qytetare. Pres të njëjtin hap ta ndjekin dhe të tjerat që nuk kanë marrë ende vendim.

Do të zhvillojmë fushatë digjitale, sociale, mediatike; e çdo aktivitet tjetër do të jetë në përputhshmëri të plotë me rekomandimet shëndetësore. Sepse para aktivitetit tonë politik, vjen jeta e bashkëqytetarëve tanë, njerëzve tanë, familjarëve tanë.

“Në mbrëmje, ndërsa, në takim me partitë politike, mbrojtëm demokracinë, gjënë më të shenjtë në vend. Zgjedhjet janë festë. Aty shprehet vullneti fundamental i qytetarëve tanë; dhe në demokraci rëndësi ka që qytetarët të jenë të lirë të votojnë për këdo që preferojnë. Këtë vullnet askush s’mund e s’guxon ta prekë. Prandaj 17 tetori është ditë e demokracisë.

Deri atëherë, Qeveria të rikthehet në menaxhim pandemik. Të vaksinojë, të menaxhojë, e të kujdeset për masat që i vendosë vet.

Top Channel