Shkëputja e ashensorit te pallati në “Astir”/ Banorja për TCH: Kishte pasur disa herë probleme, hynim me frikë! Vrapuam të ndihmonim, pamë 26-vjeçaren të shtrirë rëndë

12/09/2021 12:15

Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë më shumë detaje për ngjarjen e rëndë që ndodhi në mesnatë ku një ashensor në një pallat në Astir u rrëzua me 5 veta brenda.

Anila Hoxha raporton se ngjarja ndodhi teksa disa banorë të pallatit kishin përfunduar festimet dhe po përcillnin miqtë, por menjëherë më pas tregojnë ata ka pasur një rënie drastike të ashensorit, që bëri që një nga personat të lëndohej rëndë.

Aleksandra Meko, një banore e pallatit dhe një nga dëshmitaret e para që vrapoi për të dhënë ndihmë e pyetur nga gazetarja Anila Hoxha tha se disa herë banorët e kishin shprehur shqetësimin se ashensori kishte problem, pasi disa herë kishte pasur lëkundje dhe ngecje.

“Dëgjuam zhurmën menduam se ishte dhune familjare, thamë të vinim gjithësesi e të lajmëronim policinë, po kur pamë pamë ashensorin që kishte ngelur, pamë vajzën 26 vjeç që ishte lënduar rëndë, dera ishte shkallmuar nga familjarët saj, thuhej që ishin 5 vetë, mes tyre një fëmijë dhe një shtatzënë. Herë pas here ka pas lëkundje, ka pas probleme me servisin. Jemi ankuar te administratori , por s’kemi marrë ndonjë përgjigje. Ishte i kolauduar po.  Ashensori here pas here ngecte ose tronditej hynim me frikë”, tha ajo.

Aleksandra tregon se banorët e kishin vendosur në dijeni administratorin.

Ndërkohë aktualisht raporton Anila Hoxha pritet të mbërrijnë ekspertë në pallat për të verifikuar ngjarjen.

Deri më tani janë të shoqëruar tre persona: Administratori, një inxhinier teknik dhe një mirëmbajtës ashensori, por nuk ka ende urdhër ndalimi apo arresti ndaj tyre për shpërdorim detyre, për sa kohe që para ngjarjes ka pasur ankesa nga banorët.

Hetimi i deritanishëm i prokurorisë së Tiranës pas pyetjes së tre të shoqëruarve, nga kqyrja e shkresave, tha një burim i Anila Hoxhës rezulton se, sipas ligjit administratori i pallatit D.Sh kishte firmosur kontratë me kompaninë e mirëmbajtjes së ashensorëve. Por tekniku i mirëmbajtjes së ashensorit dyshohet nuk ka bërë kontrolle dhe as mirëmbajtje.

Top Channel