Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princit Faisal Bin Farhan Al Saud gjatë konferencës të mbajtur me Kryeministrin Rama ka vlerësuar bashkëpunimin me vendin tonë duke thënë se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të gjitha sferat.

Ai u shpreh më tej se Arabia Saudite është mbështetëse dhe përkrah integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian, ndërsa tregoi edhe vizionin e tij lidhur me programin ambicioz të zhvillimit për 2030, për të cilin mezi pret të bashkëpunojë edhe Shqipëria.

Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite janë vendosur më 02 dhjetor 1992 dhe kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm saudit në vendin tonë.

Ndër vite Arabia Saudite është ofruar dhe ka kontribuar në financimin e projektit të rrugës Durrës-Morinë dhe Tiranë-Elbasan, si dhe nëpërmjet Fondit Saudit të Zhvillimit një sërë projektesh të tjera në Shqipëri.

Fjala e plotë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite:

Në fakt është kënaqësi e vërtetë për mua që kam ardhur këtu në Shqipëri, në këtë vizitë timen të parë, por ama shpresoj që kjo nuk ka për të qenë e fundit. Me kënaqësi kam pasur mundësinë që t’i kaloja të gjitha përshëndetjet e mia, Princit të Kurorës dhe të Mbretit nga Mbretëria e Arabisë Saudite për qytetarët e Shqipërisë dhe Mbretëria jonë e vlerëson shumë miqësinë me Shqipërinë. Një miqësi, e cila ka ecur për vite të tëra, por që është fuqizuar nga vizita e Kryeministrit të Shqipërisë. Pavarësisht se ne humbëm disa momente për arsye të pandemisë COVID-19 jemi shumë të kënaqur që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe të eksplorojmë mundësitë për të ardhmen në fusha të ndryshme, të shumëfishta.

Ne patëm një diskutim shumë të mirë sot, duke diskutuar për këto fusha bashkëpunim në të ardhmen, në fushën politike, ekonomike, të zhvillimit, mjedisore. Ka shumë gjëra që mund të bëjë Mbretëria e Arabisë Saudite në Shqipëri dhe ne me kënaqësi do të shikojmë se si do të mund t’i eksplorojmë këto mundësi në të ardhmen. Natyrisht, edhe mbledhja e Komitetit të Përbashkët, siç e tha dhe Zoti Kryeministër, që u mblodh për herë të fundit në vitin 2019, e rëndësishme këtu është që ne e kemi rritur nivelin, statusin e tij në një nivel ministerial, që do të thotë që në këtë formë do të shtohet dhe fokusi, vëmendja e punëve, në mënyrë që ne të mund t’i shfrytëzojmë të gjitha ato mundësi. Prandaj shpresojmë që ky Komitet të mblidhet sërish, shumë shpejt dhe tashmë që situata me pandeminë në të gjithë botën sikur po vjen e po stabilizohet, në mënyrë që ne të ndjekim të gjitha këto mundësi të cilat kemi menduar e ta zhvillojmë më tej miqësinë tonë, sipas natyrisht edhe orientimeve që do të kemi.

Dëshironim sot që të jepnim një sinjal shumë të qartë që jemi shumë të angazhuar për këtë marrëdhënie, për këtë miqësi. Ne besojmë tek kjo, besojmë po ashtu tek shanset, tek mundësitë që ne kemi dhe natyrisht, këtu është bashkëpunimi ekonomik, siç e tha dhe vetë Zoti Kryeministër.

Ne në fakt kemi një numër në rritje të turistëve që vijnë në Shqipëri nga Arabia Saudite dhe shpresojmë që ky numër do të vijojë të rritet e shpresojmë po ashtu që dhe shumë qytetarë shqiptarë të vijnë tek ne.

Një çështje e rëndësishme është në fakt edhe rritja e kontakteve ndërmjet vetë bizneseve. Ne duam shumë që bizneset ndërmjet dy vendeve tona të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që ekzistojnë jo vetëm në Mbretërinë tonë, por dhe në Shqipëri.

Ne po ashtu diskutuam çështje me interes të ndërsjellët në sferën politike, përshembull, për zhvillime të ndryshme në Lindjen e Mesme, folëm po ashtu për zhvillimet në rajon, por dhe në mbarë botën. Këtu ne kuptojmë që Shqipëria dhe Mbretëria jonë kanë në fakt, një qasje të përbashkët për sa i përket stabilitetit rajonal dhe sigurisë.

Ne folëm po ashtu dhe për anëtarësinë së afërmi në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe folëm për agjendën e Shqipërisë dhe këtu Mbretëria e Arabisë Saudite do t’ju japë mbështetjen e plotë në anëtarësinë e Shqipërisë e ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me kolegët tanë nga Shqipëria dhe përfaqësuesit e Shqipërisë në OKB. Ne natyrisht do të japim të gjithë përkrahjen e mbështetjen tonë për të gjithë këtë agjendë të Shqipërisë.

Meqenëse Arabia Saudite ka në fakt, një program shumë ambicioz për vitin 2030. Me këtë vizion për vitin 2030, ne mezi presim që të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë në të gjithë komunitetin global, jo vetëm për begati për Mbretërinë tonë, por dhe për të gjithë bashkësinë globale. Shpresojmë që Shqipëria do të jetë partner kyç dhe e di që për Shqipërinë, mjedisi dhe mbrojtja e planetit është një përparësi e madhe kyçe, kritike. Kjo është e njëjta gjë dhe për ne dhe kohët e fundit, përshembull, ne kemi thënë, siç e tha dhe Kryeministri, nismën e gjelbër dhe këto janë iniciativa tepër të rëndësishme, për mbjelljen e pemëve, pra, ripyllëzimin e Lindjes së Mesme dhe mezi presim që të bashkëpunojmë me Shqipërinë në këtë aspekt.

Edhe njëherë dëshiroj të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, ministren e Jashtme, por dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë që na kanë mirëpritur. Shpresoj që do të kemi shumë mundësi, jo vetëm për t’u rikthyer unë, por Shkëlqesia juaj, Zoti Kryeministër, ju keni angazhimin tim të plotë që ky angazhim i yni do të vijojë, pra, presim ende më të mirën.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA