Stamboll, paralajmërim për tsunami: Krijohen zona të posaçme evakuimi!

10/09/2021 13:06

Autoritetel lokale të Stambollit po përgatiten për raste fatkeqësish natyrore, dhe e kanë nisur punën e tyre nga vendosja e tabelave rrugore që i drejtojnë njerëzit në të ashtëquajturat “zona evakuimi” në rast tsunami.

Tabelat çojnë drejt vendesh më të larta krahasuar me brigjet e detit Marmara. Ekspertët paralajmërojnë se ka gjasa të mëdha të qyteti prej më shumë se 15 milionë banorësh të goditet nga një tsunami. Tabelat e para u vendosën në Büyükçekmece, një lagje në pjesën europiane të tij, që shtrihet përgjatë nje vije te gjatë bregdetare ku popullsia është mjaft e dendur.

Aty është vendosur gjithashtu dhe një sistem alarmi. Professor Şükrü Ersoy, ekspert i tërmeteve dhe tsunamit nga Universiteti teknik Yıldız, thotë se Büyükçekmece, bashkë me disa zona të tjera pranë, mund të dëmtohen rëndë nga një dallge gjigande.

“Rreziku i tsunamit në rajonin e Marmarasë është i lartë. Ka ndodhur në të shkuarën, mund të ndodhë sërish. Deti atje është mbi linja ku fërkohen pllakat e Tokës, e çdo tërmet i fuqishëm mund të shkaktojë një tsunami të madh”, shprehet ai. Ersoy kujton në 2000 vjet, Marmarja është goditur nga më shumë se 30 tsunami.

Top Channel