FBI zbulon komplotin $3mln për vrasjen e akuzueses për përdhunim të basketbollistit Kobe Bryant (fotot)

10/09/2021 16:49

Një ‘bodybuilder’ zvicerjan që jetonte në Kaliforni i kishte ofruar legjendës së basketbollit amerikan Kobe Bryant të vriste gruan nga Kolorado që e akuzonte për përdhunim, për shumën e 3 milionë dollarëve, zbulohet në dokumentet e reja të FBI.

Skena e ofertës së vrasjes me pagesë detajohet në një raport 17-faqe të vitit 2003, ku tregohet sesi Patrick Graber, asokohe 31 vjeç, i dërgoi ofertën Bryant me postë ku ofronte të “zgjidhte problemin e akuzave seksuale” në këmbim të pagesës.

Ndihmësit e Bryant referuan menjëherë letrën te autoritetet, të cilat organizuan një takim të kontrolluar me Graber, ku ky i fundit kishte ofruar të “influenconte akuzuesen” e Bryant dhe më pas ta eliminonte nëse këto përpjekje dështonin.

Graber u arrestua në shtator 2003 teksa priste të merrte pagesën e parë prej $1 milionë sipas marrëveshjes me hetuesit e FBI, të cilët kishin rënë dakord ta paguanin me para të rreme nga studiot e filmave të Hollywood, sipas raportit.

Graber, i cili përballej me një maksimum prej 10 vjet burg, u dënua në 2004 me tre vjet prapa hekurave për tentativë skemë vrasjeje me pagesë.

Akuzuesja 19 vjeçare e Bryant pretendonte se ylli i NBA e kishte përdhunuar në një dhomë hoteli në Kolorado, në 2003 raporton Denver Post .

Bryant, asokohe 24 vjeç, insistonte se takimi i tyre ishte konsensual dhe më vonë akuzat u rrëzuan.

41 vjeçari Bryant me të bijën Gianna, 13 vjeçe, vdiqën në një aksident me helikopter në 2020.

Ndërsa Graber u deportua në Zvicër pasi kreu dënimin me tre vjet burg.

FOTO GALERI
1/4
Patrick Graber, asokohe 31 vjeç, i dërgoi ofertën Bryant me postë ku ofronte të “zgjidhte problemin e akuzave seksuale” në këmbim të pagesës

Top Channel