Biden i shpall luftë 80 mln të pavaksinuarve, Fox News: “Ky është tiran”

10/09/2021 12:51

“Refuzimi juaj na ka kushtuar të gjithëve”, presidenti amerikan Joe Biden i shpalli luftë 80 milionëve të pavaksinuarve në vendin e tij teksa njoftoi se imunizimi do të bëhet i detyrueshëm për shumicën e punonjësve.

“Ne kemi pasur durim, por durimi ynë po zvogëlohet. Refuzimi juaj na ka kushtuar të gjithëve. Ju lutemi bëni gjënë e duhur!”, tha Biden.
Përmes një strategjie me 6 pika për luftën kundër koronavirusit, Biden caktoi rregulla të reja për të gjithë punëdhënësit me më shumë se 100 punëtorë, që t’iu kërkojnë atyre të vaksinohen ose të testohen çdo javë për sëmundjen.

Kjo do të prekë më shumë se 80 milionë njerëz në sektorin privat, vlerësoi Shtëpia e Bardhë. Kompanitë mund të gjobiten nëse nuk i ndjekin rregullat e reja.

Po kështu bëhet i detyrueshëm vaksinimi për të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët federalë. Republikanët akuzuan menjëherë presidentin demokrat për tejkalim të autoritetit. Komiteti Kombëtar Republikan tha se do ta padisë administratën Biden për të parandaluar vaksinimin e detyruar. “Ai po përdor frikën e po shtrëngon njerëzit të bëjnë dicka që nuk duan”, tha Cathy McMorris Rodgers, republikane në Komitetin e Energjisë dhe Tregtisë, që mbikëqyr politikën shëndetësore.

Pas kësaj lëvizjeje, Fox News e përshkroi Bidenin si një tiran. Një studim i fundit i universitetit të Oxford tregoi se edhe personat plotësisht të vaksinuar mund ta përhapin variantin Delta njësoj si të pavaksinuarit, madje të vaksinuarit me ngarkesë të madhe virale dhe infeksion të avancuar, mund të përbëjnë rrezik për ata që nuk janë imunizuar.

Top Channel