La Manshi si Otranto/ Nisen me gomone nga Franca, në pak ditë 1600 emigrantë ilegalë

09/09/2021 16:18

Kriza e kalimeve ilegale nga Franca drejt Britanisë përmes kanalit të La Manshit sa vjen e po përkeqësohet, duke bërë që Ministrja e Brendshme britanike të kërkojë kthimin me forcë në det drejt Francës të anijeve të vogla dhe gomoneve me emigrant që synojnë brigjet angleze.

Vetëm në ditët e fundit kanë mbërritur në jug të Anglisë afro 1600 emigrantë illegal.

Se sa dëshpëruese është bërë për autoritetet britanike frenimi i kalimeve ilegale përmes kanalit të La Manshit nga Franca drejt Anglisë e emigrantëve ilegal është fakti që ministrja Priti Patel ka kërkuar nga rojet kufitare dhe të emigracionit përdorimin e taktikave frenuese dhe të kthimit me forcë të anijeve të vogla dhe gomoneve me emigrant që po mbërrijnë nga Franca drejt Anglisë.

Kur një deklaratë e tillë vjen pas një takimi të saj me homologun francez në Londër, kjo dëshmon se bisedimet nuk flasin për koordinim mes dy vendeve në kohën kur Britania është jashtë BE-së.

Britania më herët akordoi 54 milionë stërlina për autoritetet franceze për dyfishimin e anijeve franceze që të frenonin kalimin ilegal të emigrantëve. Fakti që ata vazhdojnë të kalojnë dhe mbërrijnë në Angli, mes tyre edhe emigrantë shqiptarë duket se ka trajtat e dështimit si taktikë.

Britania e Madhe ashpërsoi muajt e fundit edhe ligjin për emigracionin me dënime drakoniane për kalimet ilegale dhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe është e vështirë të shihet se këto po i frenojnë për momentin si emigrantët ashtu edhe trafikantët që organizojnë trafikime si këto që po ndodhin momentalisht mes Francës dhe Anglisë.

Edhe pse thuhet se masat e sapo njoftuara për kthimin me forcë mbrapsht të anijeve dhe gomoneve do të përdoren në raste specifike, një fakt mbetet i pamohueshëm, deri më tani taktikat dhe politikat britanike nuk po funksionojnë dhe marrëdhëniet mes Britanisë dhe Francës për këtë çështje, pavarësisht financimeve të herëpashershme britanike dhënë autoriteteve franceze duket se po përkeqësohen, kur dihet se Britania është tashme jashtë BE dhe Franca vetëm lehtëson barren e saj me emigrantet ne territorin e saj, te cilët përfundojnë ne ishull.

Top Channel