Serbia, 4 ditë punë në javë? Lista Studentore bën propozim edhe për pensionet

06/11/2026 18:22

Lista Studentore në Serbi ka nisur menjëherë nga puna, e ka prezantuar një paketë propozimesh për reformimin e tregut të punës dhe forcimin e të drejtave sociale, ku një nga masat kryesore është java katërditore e punës, me 32 orë në javë dhe pa ulje të pagës.

Sipas programit, ky model do të zbatohej në mënyrë vullnetare nga punëdhënësit që vendosin ta adoptojnë. Gjithashtu, propozohet kufizimi i kontratave me afat të caktuar në maksimumi 12 muaj, forcimi i mbrojtjes nga largimet e padrejta dhe rritja e kompensimit për punën gjatë festave zyrtare, të dielave, natës dhe jashtë orarit.

Paketa përfshin edhe zgjerimin e të drejtave prindërore, përfshirë pushimin e lehonisë pavarësisht llojit të kontratës dhe tre muaj pushim për baballarët pas lindjes së fëmijës. Për pushimin mjekësor gjatë 30 ditëve të para propozohet kompensim prej të paktën 75% të pagës.

Ndër masat e tjera janë edhe e drejta e punonjësve për të mos iu përgjigjur kërkesave të punës pas përfundimit të orarit zyrtar, mbrojtja e punëtorëve të platformave digjitale dhe reformimi i sistemit të pensioneve.

Ky i fundit parashikon indeksimin e pensioneve dy herë në vit, mbështetje më të madhe për pensionistët me të ardhura të ulëta dhe krijimin e një pensioni social për personat mbi 65 vjeç që nuk përfitojnë pension kontribues.

Megjithatë, propozimet janë pjesë e programit politik të Listës Studentore dhe nuk përbëjnë ende ndryshime të miratuara ligjore. Për zbatimin e tyre do të nevojiteshin ndryshime në legjislacionin serb.

Top Channel