Ku është Llalla?! Ish-kryeprokurori mungon në seancën që mund ta çojë pas hekurave/ Trupa gjykuese rrëzon kërkesat e avokatit

09/09/2021 13:40

Seanca e mbrojtjes së ish-kryeprokurori Adriatik Llalla po mbahet pa praninë e tij.

Pas tërheqjes në Dhomë Këshillimi, trupa gjykuese ka rrëzuar të gjitha kërkesat e avokatit.

Gjykata e Apelit të Posaçëm sërish është tërhequr për vendimin që do të jepet sot.

Avokati Sokol Hazizaj ka hyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe prej orës 10.30 po bën parashtrimet që janë një hap larg vendimit të Gjykatës Antikorrupsion.

Ai kërkoi pafajësi për Llallën dhe vijon ende mbrojtjen ndërsa seanca po monitorohet edhe nga ndërkombëtarë, kryesisht të Ambasadës Amerikane që kanë qenë të pranishëm në çdo seancë.

Gjykata e Posaçme e Apelit po vazhdon të dëgjojë mbrojtjen e avokatit të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kërkoi nga Apeli pafajësi ose rigjykim të dosjes ose shpallje moskompetence.

Nga ana tjetër, avokati tha se ish-kryeprokurori është në spital më gjendje të rëndë shëndetësore duke kërkuar që kjo të merret parasysh nga Gjykata në dhënien e vendimit.

Gjatë mbrojtjes avokati Sokol Hazizaj pretendoi se procesi i hetimit dhe gjykimit ishte i paragjykuar, gjithashtu shtoi se Gjykata e Posacme është në kushte të moskompetencës për dosjen dhe vendimi është i pavlefshëm.

Aktet e ekspertimit u dorëzuan nga avokati i Llallës, i cili kërkoi pafajësi, rikthim për gjykim ose në rast dënimi pezullim të dënimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të sëmundjes së parikuperueshme.

Nëse Llalla shpallet fajtor me formë të prerë ai duhet të dërgohet pas hekurave, por nuk dihet ende nëse vendimi do shpallet sot, ndonëse mbrojtja e ish-prokurorit është pretendimi i fundit i palëve.

Kujtojmë se nëse shpallet fajtor ai është ish-zyrtari më i lartë i Prokurorisë i dënuar, ndërsa nuk përfiton zbritje dënimi nga gjykimi i shkurtuar.

Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka ankimuar dënimin me 2 vite burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.

Duke iu bindur hetimit të SPAK, Gjykata urdhëroi kërkesën për konfiskim të gati 22 mijë metrave katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës dhe aprovoi si dënim shtesë edhe mohimin për të marrë funksione publike për pesë vite.

Mbrojtja e Llallës këmbënguli më herët se nuk kishte fshehur asgjë përveç shpenzimeve të Gjermanisë që ishin harruar të deklaroheshin nga gabimi njerëzor.

Mirëpo, Gjykata gjeti të provuar të kundërtën, edhe për tokat që sipas hetimit të SPAK u rivlerësuan disa fish më tepër nga vlera që ishin blerë edhe për faturën spitalore në SHBA dhe kostot për ndërtimin e një shtese.

Shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i kërkoi kreut të SPAK, Arben Kraja një ditë më parë që të mos kurset askush i korruptuar.

Kujtojmë se Departamenti i Shtetit deri më tani ka vënë një shënjestër me masë ndalimi ndaj disa personazheve në Shqipëri, politikanë si Sali Berisha, Vangjush Dako dhe Tom Doshi dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

 

Top Channel