Edona Bilali, aktualisht Ministre Për Sipërmarrjen, dhe e para në listën e deputetëve të qarkut Shkodër, akuzohet se qëndron pas disa emërimeve post zgjedhore në qarkun Shkodër. Emërimi i drejtorit te ri të tatimeve Sidrit Istrefi.

Drejtori i Transportit Rrugor dhe Sindis Kopliku drejtoreshë e Zyrës Arsimore Shkodër. Për dy të parët pretendohet se janë kushërinj të ministres Bilali. Ndërsa e treta mike e ngushtë. Fiksi fillimisht kërkoi të intervistonte të emëruarit, por këta të fundit ose nuk u gjetën në vendin e punës, ose refuzuan të përgjigjen të mohojnë apo pranojnë lidhjen me deputeten. Vet Edona Bilali e kontaktuar nga gazetarët e Fiksit tha se asnjë nga këto akuza nuk qëndronte dhe së për të vërtetuar të kundërtën do t’i vinte në dispozion zyrtarisht Fiksit certifikatat familjare deri në brez të 15-të. Por ajo nuk vuri në dispozion asnjë dokument që të provonte që nuk ka asnjë lidhje, gjithashtu refuzoi t’i përgjigjej e-mailit zyrtar që kërkoi nga Fiksi dhe mesazheve të nisura nga gazetarët.

Fiks Fare kontaktoi me Drejtorin e Tatimeve Shkodër, Sidrit Istrefi. Gjatë takimit me gazetarët ai refuzoi të përgjigjet për lidhjen që ka me Edona Bilalin, duke thënë se nuk ka pse emërimi i tij të lidhet me të, pasi ai është komanduar nga një tjetër institucion. Por faktikisht, nga të dhënat që kanë ardhur dhe certifikatat që Fiksi disponon zonja Bilali duket që ka lidhje familjare me Sidrit Istrefin. Madje ky i fundit thotë se ky është një muhabet personal për të cilin mund t’u përgjigjet gazetarëve në kafe dhe nuk ka pse të përgjigjet si institucion. Ndër të tjera ai thotë se ka shumë kushërinj dhe se me Edonën ka vite që nuk ka asnjë kontakt.

Për emërimin e tij, Fiks Fare u interesua edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Këta të fundit zyrtarisht informuan se drejtori aktual është i komanduar.

‘Sqarojmë se, kjo procedurë e shpalljes së vendeve vakante, referuar legjislacionit në fuqi, ndiqet, organizohet dhe publikohet nga Departamenti i Administratës Publike, ku referuar dhe njoftimeve të publikuara për këtë shpallje, rezulton se të dyja fazat e procedurës së rekrutimit kanë përfunduar pa kandidatë fitues, arsye kjo e cila kushtëzon vazhdimin e komandimit të një nëpunësi për ushtrimin e funksionit’ thuhet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Por ky nuk është konkursi i parë që dështon. Nga informacioni i marrë po nga Tatimet, edhe drejtori paraardhësi rezulton të ketë qenë i komanduar.

Arlind Sylja, Drejtor i Transportit Rrugor Shkodër, pretendohet se është nipi i vjerrës së Edona Bilalit, por kjo e fundit nuk rezulton të ketë lidhur kurorë ligjërisht me personin të cilin mendohet se është e fejuar .
Fiksi kërkoi të kontaktonte me drejtorin, por ky i fundit jo vetëm që nuk ishte në punë, por punonjësit nuk i kishin as numrin e telefonit.

Qershia mbi tortë e emërimeve pas zgjedhore në Shkodër është Sindis Kopliku, Drejtore e Zyrës Arsimore Shkodër, e cila pretendohet se është mike e afërt me Edona Bilalin. Sindi Koplikut i është dhënë posti i drejtuesit, pasi mësuese nuk mund të emërohet. Informacioni që Sindi Kopliku kishte dështuar dy herë në marrjen e provimit të licencës si mësuesë e gjeografisë ishte i saktë.

QSHA konfirmoi zyrtarisht për Fiks Fare se kandidatja Sindis Kopliku ka marrë pjesë dy herë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, në profilin Gjeografi dhe ka rezultuar e pasuksesshme.

Vet Sindis Kopliku refuzoi të përgjigjej për emisionin Fiks Fare duke pretenduar që është diçka personale dhe se është DPAP-ja që e ka emëruar e që duhet të përgjigjet.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Para Universitar, në shkresën zyrtare drejtuar Fiksit, citon se licencimi nuk është kriter për t’u emëruar drejtuese e një drejtorie arsimore.

Fiks Fare kontaktoi me anë të telefonit zonjën Edona Bilali, deputete dhe Ministe Për Sipërmarrjen e cila akuzohet drejtpërdrejt se ka lidhje më të treja emërimet. E vënë në dijeni nga Fiksi për denoncimin ajo mohon kategorikisht lidhjet me të tre drejtorët.

Ajo tha se asnjë nga këto akuza nuk qëndronte dhe se për të vërtetuar të kundërtën do të vinte në dispozion të Fiksit zyrtarisht certifikatat famlijare deri në brez të pesëmbëdhjetë. Pavarësisht kësaj deklarate dhe emalit zyrtar që kërkoi e ju nisë në adresë të saj, Edona Bilali nuk ju përgjigj asnjëherë kërkesës së Fiksit dhe mesazheve të nisura nga gazetarët. Duke shkelur kështu edhe ligjin për te drejtën e Informimit.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel