Kolosi i humorit Shqiptar, Paulin Preka është përcjellë për në banesën e fundit ditën e sotme.
Kolegët e tij ndër vite mes lotësh, i kanë dhënë lamtumirën njeriut që mbajti gjallë “Estradën e Shkodrës”.
Aktori i njohur i humorit shkodran ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare në Itali, ku ndodhej prej vitesh së bashku me familjen e tij.
Ai numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ku ka spikatur me estradën e Shkodrës në shumë aktivitete brenda e jashtë vendit.
Mjeshtrit e Mëdhenj, Zef Deda, Zyliha Miloti, Sander Ruci, Besnik Çinari dhe Edmond Halili kanë folur për Top Channel.
Në moshën 8 vjeçare ai u bë pjesë e shoqërisë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës.
Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlerësuan me çmim të parë.
Rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, doli në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.
Top Channel