Ja kush është politikani tjetër shqiptar në ‘listën e zezë’ të SHBA-së: Më kanë ngatërruar me ndonjë tjetër

08/09/2021 07:29

Tashmë janë publikuar pothuajse të gjithë kandidatët për kryetar komune dhe anëtarë të asambleve për zgjedhjet lokale në Kosovë. Por nga verifikimet rezulton se një prej kandidatëve të Vetëvendosjes për në asamble, Tahir Dalipi në Gjilan, është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Amerika e kishte cilësuar Dalipin si një prej njerëzve që kishte kërcënuar përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor. I kontaktuar nga mediat kosovare, Dalipi thotë se s’ka marrë asnjëherë ndonjë shpjegim të saktë se pse është pjesë e kësaj liste, por beson se lidhet me aktivitetin e tij si anëtar politik i Ushtrisë Çlirimtare për Presheve, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB).

“Ajo listë daton prej kohës së përpjekjeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Unë kam qenë anëtar politike i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB). Edhe UÇPMB’ja pas demitalirizimit edhe këshilli politik i saj kanë hyrë në Listën e zezë si organizata. Aty pastaj janë veçuar disa emra. Në fakt, unë nuk kam marrë ndonjë shpjegim asnjëherë se cila është arsyeja e futjes në atë listë”, ka deklaruar Dalipi.

Sipas tij, lista më nuk është aktive dhe s’ka asnjë efekt, teksa thekson se nuk ka bërë asgjë që të jetë pjesë e saj. “Në fakt arsyeja ka qenë pamundësia e ime në atë kohë që të pajtohem me zgjidhjen që na është ofruar…dhe kjo është marrë si mospajtim apo edhe kundërshtim, por në fund kjo është diplomacia e shteteve të mëdha, nuk pyesin shumë për individët. Nuk janë vërifiku gjanat sa duhet dhe ka ndodh çka ka ndodh. Aktulisht nuk është aktive më ajo listë, realisht s’ka asnjë efekt”, ka thënë ai.

Ai madje shkon më tej duke ngritur dhe hipotezën se në fakt nuk bëhet fjalë për të por për një person tjetër pasi vitit i lindjes nuk përkon. “E kam pa në media, sepse kurrë nuk më është dhënë ndonjë. Ka aty edhe emra bukur të njohur që tash janë në skenën politike. Është shumë e mundur që të jetë ndonjë person tjetër, e të jetë i ngatërruar emri. Mund të jetë personi që e ka vitin e lindjes në atë listë.

Seriozitetin e asaj liste e shpjegon edhe vetë ky fakt që nuk janë verifikuar gjërat, sepse veprimtaria ime s’ka qenë ushtarake, por politike dhe në koordinim me aksionet e asaj kohe që ta përmirësojnë gjendjen në Luginën e Preshevës”, është shprehur ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA