Çfarë do të thotë të rritesh?
“Të rritesh është punë e ndërlikuar”, do të thoshte mësuesi Debris dhe Olga e di mirë këtë: për të qetësuar një shoqe të re, e cila nuk dëshiron të dëgjojë të flitet për rritjen, Olga i tregon historinë e një vajze të vogël, së cilës rrobat gjithmonë i rrinin shumë të mëdha, edhe pse, sipas etiketës, ishin për moshën apo madhësinë e saj, dhe se si ajo kridhej brenda vizatimeve për t’i shpëtuar jetës së vërtetë. Historia e Misteriozes është historia e atyre që mezi e gjejnë vendin e tyre në botë, u bishtnojnë përgjegjësive dhe detyrave, nuk e mbajnë dot mbi supe këtë barrë dhe luftojnë fort për të mbetur fëmijë. Por është edhe historia e një vajze të vogël që nuk dorëzohet. Një histori që do t’ju bëjë të qeshni, të mendoni dhe të shqyeni sytë nga habia; dhe ajo çka Olga do të mësojë bashkë me shokët dhe lexuesit e të gjitha moshave është e sigurt: kur rritesh, mund ta përballosh jetën me guxim dhe dashuri, vetëm nëse mbetesh paksa fëmijë në shpirt.
Po të mos ishte për rrobat, që gjithnjë i rrinin të mëdha, do të dukej një fëmijë si gjithë të tjerët: as e gjatë, as e shkurtër, as imcake, as e mbushur, aspak e shëmtuar, ndoshta pak e bukur, inteligjente po, por jo gjeni, me pak fjalë, një tip fare i zakonshëm. Edhe emrin të zakonshëm e kishte, por të gjithë e thërrisnin Misteriozja.
Të dhëna për librin
Titulli i librit: Olga prej letre
Autore: Elisabetta Gnone
Përktheu: Albana Nexhipi Lekaj
Numri i fq: 216
Çmimi: 800 lekë
Pak fjalë për autoren
ELISABETTA GNONE ka lindur në Genova dhe jeton në kodrinat e Monferratos. Ka drejtuar disa revista për gratë dhe revista për fëmijë të Walt Disney, për të cilin krijoi serinë vizatimore W.I.T.C.H., dhe është autore e serisë shumë të suksesshme Fairy Oak. Me serinë ‘Olga prej letre’, Gnone e fut lexuesin në një botë të re, tejet delikate në të cilën, me hijeshi dhe ironi, trajton tema që lidhen me brishtësitë dhe papërsosuritë e qenies njerëzore.
Top Channel