Kadia zbulon shifrat: Ja sa turistë erdhën në Shqipëri/ Morina: Jugu ka 1/2 e çmimeve të Malit të Zi

07/09/2021 22:06

Pandemia Covid 19 goditi fort ekonominë veçanërisht vitin e kaluar, teksa turizmi, industria dhe tregtia rezultojnë edhe sektorët më të prekur.

Zv. ministri i Financave, Besart Kadia, i ftuar në ‘Open’ mbrëmjen e sotme ka zbuluar shifrat e turistëve që erdhën në Shqipëri gjatë këtij sezoni veror.

“Në vitin 2019, sipas disa statistikave mbi 40 % të operatorëve turistikë mendonin se kthimi i aktivitetit 2019 do të kthehej në vitin 2022, pas dy vitesh. Ajo çka ndodhi këtë vit ishte një surprizë pozitive që Shqipëria u kthye në vëmendje të turistëve të huaj, kjo e vënë re nga statistikat e hyrjes në kufi por edhe statistikat e Instat. Ka patur një rritje mbi pritshmëritë edhe të qeverisë edhe operatorëve. 2.4 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, janar-korrik 2021 është katër herë më e lartë. Duke u krahasuar me vitin 2019 jemi me të njëjtat shifra, me 300-400 mijë më pak, por duhet pritur edhe muaji gusht që është mbi pritshmëritë. 2019 ishte kulmi i trendit në rritje, por fakt është edhe ndryshimi i sjelljeve”, tha Kadia.

Julian Morina, president i ‘Morina Grup’ tha se falë vaksinimit në një periudhë shumë të shkurtër ka qenë në favorin e turizmit shqiptar, si dhe një plus shumë i madh është edhe tregu i garantuar nga turistët e Kosovës, të cilët kanë ‘pushtuar’ Shëngjinin, Velipojën, Durrësin dhe Vlorën këtëvit.

“Falë vaksinimit në kohë të shpejtë Shqipëria pati një favor më shumë në Ballkan, sepse rënia i infektimeve ishte më pak se gjithandej, mendoj se kjo ka qenë një nga shanset e turizmit për këtë vit. Kemi një treg të garantuar nga Kosova, ku Shënjini apo Velipoja, Durrësi dhe Vlora kanë pasur mjaftueshëm turistë nga Kosova. Unë besoj se ka qen në rritje nga vitet e tjera. Jugut të Shqipërisë i ka dhënë ndihmë edhe bayppas-i i Vlorës, edhe ka një vazhdimësi në struktura të reja dhe kjo sjell klientë shtesë në atë pjesë të bregdetit të Shqipërisë”.

I pyetur nëse turisti shqiptar ka qëndruar këtë vit në Shqipëri Morina u shpreh se: “Turisti shqiptar po arrin të kuptojë me kalimin e kohës se në Shqipëri bën më mirë turizëm sesa jashtë. Jugu po mundëson një bregdet dhe tarifë të caktuar që nuk e gjen dot as në Mal të Zi dhe as Greqi, ku çmimet janë më të larta. Ne në Shqipëri jemi me gjysmën e çmimit në raport me Greqinë dhe Malin e Zi”.

Top Channel