Gjermania kërcënon Rusinë: Ndaloni menjëherë sulmet kibernetike, në të kundërt…

07/09/2021 20:27

Me tone të pazakonta për nga ashpërsia, qeveria gjermane u shpreh kundër përpjekjeve ruse për ndikim para zgjedhjeve parlamentare më 26 shtator.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Federale në Berlin kërkoi ndalimin e menjëhershëm të fushatave kibernetike dhe kërcënoi qeverinë ruse me pasoja, nëse nuk e plotëson këtë kërkesë.

“Qeveria gjermane e konsideron këtë veprim të papranueshëm, si rrezik për sigurinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe për procesin e formimit të vullnetit demokratik dhe si rëndim të madh të marrëdhënieve bilateral,” tha ajo. Sipas zëdhënënes, ekzekutivi gjerman ka “të dhëna konkrete”, sipas të cilave, fushata dezinformuese “mund t’i atribuohet vepruesve kibernetikë të shtetit rus dhe konkretisht shërbimit sekret ushtarak rus, GRU.”

Ky veprim është “tërësisht i papranueshëm” dhe qeveria gjermane parashikon “masa të tjera”, ishte komenti i saj. Para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani ka pasur përpjekje “ndër të tjera përmes mailave hakerues” të sigurohen të dhëna personale të deputetëve të Bundestagut dhe parlamenteve të landeve, që përmes kësaj të “arrihet vjedhja e identitetit”.

Këto sulme mund të shihen si veprime përgatitore për fushata ndikuese si për shembull fushata dezinformuese në zgjedhjet e Bundestagut.

Top Channel